Përballje

Prishtina debuton në Europa Conference Leauge


Kampioni i Kosovës në futboll, FC Prishtina, do të bëjë debutimin në kualifikimet e “Europa Conference Leauge” këtë të martë me fillim nga ora 18:00.

Prishtina do të përballet me kampionin e Uellsit, Connah’s Quay Nomads, në raundin e dytë të garës më të re të UEFA-s, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pra, pasi u eliminuan nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, kundër Ferencvaros-it, me rezultat të përgjithshëm 6:1, tani bardhekaltërit do ta kërkojnë kualifikimin tutje në këtë garë.

Prishtina shihet shumë më e favorizuar përballë uellsianëve për të kaluar këtë raund. Vlera totale e futbollistëve prishtinas llogaritet të jetë 3.38 milionë euro, përkundër asaj të Connah’s Quay, që është 2 milionë më pak.

Përkundër faktit se kryeqytetasit kanë futbollistë më cilësor në ekip, ata i favorizon edhe prania e tifozëve në stadium.

Trajneri, Zekirija Ramadani, në konferencën për media, u shpreh optimist për kalimin e raundit.

“Patjetër që do e të jetë ndjesi e veçantë prezenca e shikuesve. Pa pasur fare adhurues tanë në Budapest ishte ndjesi tjetër, lëre më tani para publikut tonë”

“Kemi motiv shtesë për ta kaluar raundin, por edhe nuk heqim dorë nga loja e bukur, sido qoftë objektivi kryesor është kalimi i raundit”, tha mes tjerash Ramadani.

Gjithashtu edhe njëri nga futbollistët më cilësor në skuadër, Gledi Mici, u shpreh optimist për kalimin tutje nga kjo xhiro, duke shtuar se janë më cilësor se skuadra kundërshtare.

“Konsideroj skuadrën tonë më në epërsi, për faktin se mendoj që jemi më cilësor, por kjo prapë mbetët të dëshmohet në fushë”.

“Duam që nesër të japim më të mirën e të kemi më lehtë në ndeshjen kthyese. Janë 180 minuta para nesh dhe na duhet të dëshmojmë për objektivin që kemi, kalimin e raundit”, theksoi Gledi Mici.

Kujtojmë që dy futbollistë do të mungojnë te skuadra mysafire, për shkak se njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa tjetri ishte rast kontakti.

Ndërkaq, ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 29 korrik në Uells.

Në rast se Prishtina arrin ta eliminojë këtë kundërshtar, atëherë në raundin tjetër do të takohet me fituesin e ndeshjes mes kampionit të Islandës, Valur dhe atij të Norvegjisë, Bodo/Glimt.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore