Lajme

Presidentja Osmani në Samitin Global të Grave në Lisbonë flet për gratë e Krushës


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin Global të Gravenë Lisbonë të Portugalisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin Global të Grave, gjatë vizitës që po zhvillon në Portugali.

Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Kosovës, përkatësisht grave të Krushës, të cilat përkundër vuajtjeve që kanë përjetuar, kanë arritur të triumfojnë.
“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik”.

“Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”, ka thënë Osmani, thuhet në njoftimin e presidencës.

Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival”.

Ajo ju ka bërë thirrje grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit që ta shikojnë këtë film, për të parë historinë e njërës nga gratë shqiptare.

Ajo në fjalën e saj në këtë samit gjithashtu ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë si në punë po ashtu edhe në shtëpi, por ato kanë fuqi dhe nuk do të ndalën ka thënë ajo.

“Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë ‘JO’-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen. Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin”.

Presidentja Osmani tutje ka folur edhe për fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.
“Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare”.

“Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes”, ka deklaruar ajo.

Samitin Global i Grave i cili po mbahet sivjet në Lisbonë, për temë ka rolin e grave në transformimin e ekonomisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore