Sport

Presidenti i Napolit: Kvara dhe Osimhen nuk shiten – por nuk i dihet në rast se vjen ndonjë ofertë e çmendur


Khvicha Kvaratskhelia dhe Victor Osimhen po vazhdojnë të impresionojnë gjithë klubet e Evropës me paraqitjet e tyre me fanellën e Napolit.

Osimhen me 20 gola dhe tetë asistime dhe Kvaratskhelia me 12 gola dhe 15 asistime, po bëjnë që Napoli të qëndrojë në krye të tabelës në Serie A me 15 pikë të shkëputur nga vendi i dytë, si dhe klubi i tyre është afër kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Shumë klube të mëdha evropiane kanë shfaqur interesim për dy futbollistët, teksa për Osimhen flitet se do të vërshojnë ofertat nga Premier Leauge në verën e ardhshme.

Së fundmi, lidhur me këtë gjë ka folur edhe vetë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, i cili ka thënë se nuk do ta kenë të vështirë t’i mbajnë lojtarët e mirë në klub, por la të kuptohet se të ardhmes nuk i dihet.

“Kvara dhe Osimhen? Nuk do të jetë e vështirë të mbajmë lojtarët tanë më të mirë, ne jemi të mirë me kontratat. Mendoj që do të qëndrojnë gjatë në klub. Por, kurrë mos thuaj kurrë – në rast se vjen ndonjë propozim i çmendur”, tha i pari i Napolit.

Kujtojmë që Osimhen është pjesë e Napolit që nga vera e vitit 2020 kur u transferua nga Lille për shumën e 75 milionë eurove.

Ndërsa Kvaratskhelia ishte zbulimi i këtij sezoni, i cili u transferua në verën e kaluar nga klubi gjeorgjian, Dinamo Batumi për vetëm 10 milionë euro, ndërsa vlera e tij tani llogaritet të jetë mbi 100 milionë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore