Sport

Premier League/ Liverpool-i fiton në frymën e fundit, Southampton-it nuk i mjafton Broja


Kanë përfunduar tre ndeshjet e orës 16:00 në Premier League angleze. Liverpool-i dhe Newcastle kanë dalë me tri pikë. Southampton-i ka barazuar në shtëpi.

Të besuarit e Jurgen Klopp-it fituan minimalisht 1-0 në transfertë përballë Wolverhampton-it. Divock Origi ishte heroi i takimit, me golin e shënuar në minutën e fundit të ndeshjes, 90+5’.

Me fitoren e arritur, Liverpool-i shkon në krye të renditjes, me 34 pikë. Wolves-i qëndron në vendin e tetë me 21 pikë.

Southampton-i barazoi në shifrat 1-1 me Brighton-in. Armando Broja shënoi golin e vendasve në minutën e 29 të takmit.

Të dy skuadrat ndanë nga një pikë, që i çon përkatësisht, vendasit në kuotën e 15 pikëve dhe miqtë në kuotën e 19 pikëve. Vendi i 16 në renditje për Southampton-in dhe vendi i nëntë për Brighton-in.

Newcastle ka arritur të marrë fitoren e parë këtë sezon dhe të parën nën drejtimin e sheikëve. Skuadra e Eddie Howe u mjaftua me një gol të Callum Wilson-it përballë Burnley-t.

Edhe pse fitoi, Newcastle qëndron përsëri në vendet e fundit të renditjes. “Qymyrxhinjtë”, Burnley dhe Norwich-i kanë nga 10 pikë dhe renditen në tre vendet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore