Shqipëria

Porti ushtarak i Porto Romanos ka hyrë në pikat e diskutimit dhe trajtimit nga NATO, thotë Peleshi


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se projekti për portin ushtarak të Porto Romanos ka hyrë në pikat e diskutimit dhe trajtimit nga strukturat e NATO-s.

Kjo mundësi financimi, sipas zyrtarit shqiptar, do të ketë një model të ngjashëm me Bazën e re Ajrore të Kuçovës.

Lajmi u bë i ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, gjatë një komunikimi të ministrave me mediat e pranishme.

Peleshi sqaroi se ka pasur një takim të fundit në Mons të Belgjikës me Komandantin Suprem të NATO-s, Christopher G. Cavoli.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por ne mendojmë edhe për Aleancën. Para një viti kur Cavoli ka qenë në Shqipëri me rastin e stërvitjes ushtarake ‘Defender 21’, ka theksuar se Durrësi është nyje hyrëse dhe portë hyrëse për në Ballkanin Perëndimor dhe në Krahun Lindor të NATO-s, shumë të rëndësishme për Aleancën”, u shpreh ministri shqiptar.

Sipas tij, kjo portë dhe hyrje do të jetë sipas standardeve të kërkuara nga NATO.

“Që në fazën e projektimit të portit ushtarak të Porto Romano-s jemi duke u konsultuar me NATO-n, do të atashohen burime njerëzore pranë përfaqësisë shqiptare (16 ushtarakë që punojnë në NATO). Kjo mundësi financimi ka hyrë në pikat e diskutimit dhe të trajtimit nga strukturat e NATO-s”, garantoi Peleshi.

Ndërtimi i situatës

Një bazë detare e NATO-s po shqyrtohet për të marrë jetë në Porto Romano të Durrësit, si një propozim nga Qeveria shqiptare karshi aleancës më të madhe ushtarake në botë, ku vendi vetë aderon.

Në një vizitë zyrtare në zyrat qendrore të organizatës së Atlantikut të Veriut, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili e ravijëzoi planin për të pasur këtë bazë të modernizuar ushtarake në detin Adriatik.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk u ndal në komentim e kësaj baze në fjalën e tij për media.

Mbi situatën e bisedimeve, Albanian Post pyeti për çështjen dhe një zyrtar i aleancës, theksoi se NATO i mirëpret të gjitha ofertat e aleatëve për të ndërtuar baza të organizatës në këto vende.

Mirëpo, nga ana tjetër, zyrtari shpjegon se janë ekspertët, ata të cilët duhet t’i shqyrtojnë ofertat e ardhura, e më pas të vendosin.

“E mirëpresim çdo ofertë nga aleatët për të ndërtuar baza të NATO-s”, shpjegon ai. “Ekspertët tanë duhet t’i shohin këto oferta, e më pas të japin këshilla, duke u bazuar në kërkesat ushtarake”.

Ndaj, thënë kjo, ka ende procedura për t’u kaluar ndaj propozimit shqiptar dhe nuk është e pohuar nëse Porto Romano do të kalojë në përdorimin e NATO-s.

Në të tillë rast, së bashku me ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë, Shqipëria do të kthehej potencialisht në partnerin më të rëndësishëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar kështu edhe me stabilitetin e rajonit apo më gjerë.

Vendosja e trupave amerikane dhe vendeve të tjera është po ashtu e parashikuar në bazën e Kuçovës, së bashku me jetësimin e një flote aviacioni me ekuipazhe ushtarake moderne (ndryshe nga avionët MiG të epokës sovjetike, të cilët janë të amortizuar në Kuçovë).

Me një dritë jeshile nga ana e ekspertëve, brenda vitit 2023 për bazën ajrore dhe brenda 2025-ës potencial për atë detare, mund të kemi të dy bazat gati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore