Kosova

Policia të vazhdojë me konfiskime armësh në Veri – “ajo zonë është e armatosur deri në dhëmbë”


Foto: Albanian Post

Në Veriun e Kosovës dihet se ka organizata të mirë armatosura të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, prandaj operacioni i policisë të së martës së 5 gushtit është “tejet i duhur” dhe duhet të pasohet me aksione të ngjashme kanë thënë për Albanian Post njohësit e çështjeve të sigurisë.

Veriu është i “armatosur deri në dhëmbë” thotë për AP-në, ish-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, prandaj thekson se është shumë e nevojshme që këto aksione të vazhdojnë.

“Ka edhe depo të fshehura me armatimet më të rënda (në Veri)”, thotw Kastrati. “Ata vetë e kanë shpallur që e kanë Brigadën e Veriut (Sevrena Brigada)”.

“Janë të përgatitur në Serbi, janë të trajnuar mirë, kanë struktura organizative, kanë vijë komanduese, pra e kanë strukturën si një brigadë, dhe ata janë të përgatitur në Rashkë të Serbisë për ndarjen e Kosovës, apo ndarjen e asaj pjese të Kosovës, nëse është nevoja edhe me dhunë”, shtoi.

Prandaj, aksionet e konfiskimit të armëve atje dhe mbyllja e kanaleve ilegale, jo vetëm zvogëlon numrin e armëve, por edhe pamundëson ardhjen e të rejave.

Me 5 shtator, Policia e Kosovës njoftoi përmes konferencës së jashtëzakonshme për media se ka konfiskuar sasi të madhe të armëve dhe fishekëve.

Kalibër i madh i armëve u gjet po ashtu dhe të gjitha dyshohet të jenë material i grupeve si Brigada e Veriut.

Për njësinë paramilitare, tashmë të shpallur organizatë terroriste nga shteti i Kosovës, me emrin “Brigada e Veriut”, Albanian Post pati shkruar ekskluzivisht në tetor të vitit të kaluar.

Më në detaje për këta paramilitarë të organizuar ishin njoftuar edhe ndërkombëtarët nga një raport i brendshëm i EULEX-it.

Gjetjet e raportit mbështeteshin edhe nga inteligjenca e KFOR-it u ishin prezantuar autoriteteve më të larta diplomatike.

Raporti thoshte – citonte nga burimet Albanian Post – se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Ish-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Të gjithë këta mirëmbahen dhe financohen “me urdhër të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

“Në rast nevoje – pra sa herë që t’i duhet atij – ta përshkallëzojë situatën në Veri”.

Dëshmia se Veriu municionohet nga Beogradi, për Islamin është edhe “konfiskimi që u bë para disa ditësh”.

“Kjo tregon se Veriu i Kosovës ka nevojë për de-militarizim”, prandaj “Policia e Kosovës duhet të vazhdojë edhe më tutje deri në armët e fundit”.

Se këto armë vijnë nga Serbia nuk e ka asnjë dyshim as ish-komandanti i FSK-së.

“Kemi kallashnikovët me kalibër 5.56 që janë standard i NATO-s; e dimë që ato në Kragujevc prodhohen, dhe kjo mua nuk më befason aspak, pasi që këto armë të gjitha vijnë nga Serbia, dhe jo nga dikush apo dika tjetër”.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 5 gusht njoftoi se Policia e Kosovës kishte konfiskuar një sasi të madhe të armatimit dhe fishekëve në një shtëpi në Zveçan.

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, kishte shkruar Sveçla në Facebook.

Kreu i MPB-së kishte treguar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës”.

Aksion të ngjashëm Policia e Kosovës kishte ndërmarrë edhe me 23 qershor, ku me një veturë me targa të Beogradit, 100 metra larg Zveçanit, ishin zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme.

Për këtë rast ministri Sveçla kishte thënë se ishte parandaluar një sulm terrorist në Veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore