Lajme

Sveçla: Në Veri janë konfiskuar armë e municion, rendi dhe ligji s’do të cenohet në asnjë cep të vendit


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë konfiskuar një sasi e madhe armatimit dhe fishekëve në një shtëpi në Zveçan.

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Kreu i MPB-së ka treguar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.

“Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës”.

Ai ka theksuar se për dy dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”.

Sveçla ka potencuar se si Qeveri gjatë dy viteve të fundit, janë zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore