Lajme

Policia izraelite sulmon besimtarët në xhaminë Al-Aqsa të Jerusalem-it


Policia izraelite ka sulmuar dhjetëra besimtarë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa të Jerusalem-it duke plagosur shtatë persona, sipas dëshmitarëve.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Al Jazeera”.

Bastisja u zhvillua para agimit të së mërkurës, me policinë izraelite që pretendonte se po i përgjigjeshin “trazirave”.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi për të plagosur, por nuk dha detaje se sa njerëz u lënduan.

Ajo tha në një deklaratë se forcat izraelite po pengonin mjekët e saj të arrinin në Al-Aksa.

“Unë isha ulur në një karrige duke recituar (Kur’an)”, tha një grua e moshuar për agjencinë e lajmeve Reuters ndërsa ishte ulur jashtë xhamisë, duke kërkuar të merrja frymë.  “Ata hodhën granata trullosëse, njëra prej tyre më goditi gjoksin”, tregoi ajo.

Policia izraelite tha në një deklaratë se ata u detyruan të hynin në kompleks pasi “agjitatorët e maskuar” u mbyllën brenda xhamisë me fishekzjarre, shkopinj dhe gurë.

“Kur policia hyri brenda, u hodhën gurë dhe u gjuajtën fishekzjarre nga brenda xhamisë nga një grup i madh agjitatorësh”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se një oficer policie është plagosur në këmbë.

Tensioni ka qenë tashmë i lartë në Jerusalem-in Lindor të pushtuar dhe Bregun Perëndimor prej muajsh.

Ekziston frika e dhunës së mëtejshme ndërsa festat e rëndësishme fetare – muaji i agjërimit mysliman të Ramazanit dhe Pashkët hebraike – konvergojnë.

Grupet palestineze dënuan sulmet e fundit ndaj besimtarëve, të cilat ata i përshkruan si një krim.

“Ne paralajmërojmë pushtimin kundër kalimit të vijave të kuqe në vendet e shenjta, gjë që do të çojë në një shpërthim të madh”, tha Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmud Abbas.

Jordania, e cila vepron si kujdestar i vendeve të shenjta të krishtera dhe myslimane të Jerusalem-it, sipas një marrëveshjeje status quo-je në fuqi që nga lufta e vitit 1967, dënoi sulmin “flagrant” të Izraelit në kompleks.

Ministria e Jashtme e Egjiptit, ndërkohë, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të “sulmit flagrant” të Izraelit ndaj adhuruesve të Al-Aksa’s.

Konfrontimet në Al-Aksa, faltorja e tretë më e shenjtë në Islam dhe vendi më i shenjtë në judaizëm – në të cilin përmendet si Mali i Tempullit – kanë ndezur luftëra vdekjeprurëse ndërkufitare midis Izrael-it dhe sundimtarëve të Hamas-it të Gazës në të kaluarën – për herë të fundit në vitin 2021.

Hamas-i dënoi bastisjen e fundit si “një krim të paprecedentë” dhe u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor “të shkojnë masivisht në xhaminë Al-Aksa për ta mbrojtur atë”.

Pas dhunës në Al-Aksa, disa raketa u hodhën nga Gaza veriore drejt Izrael-it.

Ushtria izraelite tha se pesë raketa u kapën nga sistemi i mbrojtjes ajrore rreth qytetit të Sderot në jug të Izrael-it dhe se katër të tjera kishin rënë në zona të pabanuara.

Në Gaza, dhjetëra demonstrues dolën në rrugë gjatë natës, duke djegur goma.

“Betohemi se do të mbrojmë dhe ruajmë xhaminë Al-Aksa”, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

Palestinezët e shohin Al-Aksa’n si një nga simbolet e pakta kombëtare mbi të cilat ata mbajnë njëfarë elementi kontrolli.

Megjithatë, ata kanë frikë nga një ndërhyrje e ngadaltë nga grupet hebraike të ngjashme me atë që ka ndodhur në Xhaminë Ibrahimi (Shpella e Patriarkëve) në Hebron, ku gjysma e xhamisë u kthye në një sinagogë pas vitit 1967.

Palestinezët janë gjithashtu të shqetësuar për lëvizjet izraelite të ekstremit të djathtë që duan të shkatërrojnë strukturat islamike në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa dhe të ndërtojnë një tempull hebre në vend të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore