Shqipëria

Pjesë e organizatave apo vetëm?


Organizatat rinore janë një ndër organizatat jofitimprurëse më aktive në Shqipëri. Të rinjtë që duan të angazhohen dhe të përfaqësohen, shpeshherë e kanë gjetur zgjidhjen tek anëtarësimi në këto grupime. Sipas Kongresit Rinor Kombëtar, në Shqipëri numërohen qindra organizata rinore. Edhe pse me kauza të ndryshme, ajo që i bashkon është integrimi i rinisë në jetën sociale dhe politike.

Organizatat rinore

Kongresi Rinor Kombëtar (KRK) është organizata ombrellë më e madhe në Shqipëri. Ajo përfaqëson zërin e 120 organizatave rinore Shqiptare. Qëllimi saj është përfaqësimi i të rinjve shqiptar mbi problematikat e tyre konkrete. Sipas presidentes së KRK-së, Ana Gjoka, të rinjtë duhet t’i drejtohen organizatave rinore për të fuqizuar më tutje rolin e tyre në shoqërinë civile.

“Organizatat i mundësojnë rinisë një platformë ku idetë e tyre marrin jetë dhe zbatohen”.

GUXO është një ndër ato organizata. E themeluar në shtator të vitit 2020, merret pikërisht me problemet që has rinia shqiptare. Sipas themeluesve, shtysa për krijimin e kësaj organizate rinore ishte mungesa e krijimit të impaktit real nga të rinjtë. Gjatë një interviste me Albanian Post, Marash Logu, njëri nga themeluesit e organizatës tha se është koha që të rinjtë “të flasin, vendosin dhe veprojnë në emrin e tyre”. Kjo organizatë trajton si temë kryesore të përmirësimin e jetës studentore. Ata zhvillojnë protesta të shumta për uljen e tarifave, përmirësimin e kushteve në konvikte dhe korrupsionin në universitete.

Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (ang. Young Professionals Network, YPN) është një tjetër organizatë me anëtarë kryesisht të rinj. Qëllimi saj kryesor është zhvillimi i qytetarisë aktive, nëpërmjet fuqizimit dhe përfshirjes së profesionistëve të rinj. Gjatë prononcimit për Albanian Post, Françeska Muço, drejtoresha ekzekutive e YPN u shpreh se komponentët kryesor të organizatës janë ofrim trajnimesh për rritje kapacitetesh, asistim për aplikime për punë, seri takimesh me profesionistë të fushave të ndryshme. YPN organizon rubriken “Mundësitë e Javës” ku çdo ditë ndahen mundësi të ndryshme punësimi, intershipesh, konkurses dhe trajnimesh dhe përmblidhen çdo javë që të rinjtë mos të humbin asnjë prej tyre.

Arsyet e mosantarësimit nga të rinjtë

Nga ana tjetër, Albanian Post ka pyetur disa të rinj që nuk janë angazhuar ndonjëherë me organizata të tilla. Brixhilda Xhuraj, studente e vitit të dytë master në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë tha se nuk i kishte interesuar ndonjëherë të anëtarësohej. Ajo u shpreh se kishte dy arsye themelore për këtë mos angazhim. E para ishte mungesa e besimit se këto organizata përfaqësojnë kauza konkrete dhe e dyta ishte mungesa e transparencës. Kjo domethënë, sipas Xhurajt, “ata përfitojnë të ardhura në kurriz të fondeve, pa bërë ndonjë impakt real në shoqëri”.

Dikur kam qenë pjesë e organizatave rinore, tha Stela Biba, e diplomuar në marrëdhënie me publikun. Ajo më tregoi për eksperiencën e saj si anëtare e European Youth Parliament (EYP) dhe këndvështrimin e saj për organizatat rinore në Shqipëri.

“Kujtoj se kam qenë e angazhuar edhe pranë European Youth Parliament. Këtë eksperiencë e ruaj në memorie si një nga eksperiencat më të vlefshme, për sa i përket pjesës së shkëmbimeve ndërkulturore, shkëmbimit të ideve apo debateve politike me të rinjtë evropianë”.

Organizatat jashtë vendit ndjekin një qasje tjetër në angazhimin apo përfshirjen e të rinjve, tha ajo.

“Në Belgjikë, për shembull, të rinjtë plotësojnë formularë të ndryshëm përsa i përket preferencave të tyre. Në një moment të dytë, organizatat rinore i anëtarësojnë dhe iu japin mundësi të shprehen”.

Në rastin e Shqipërisë Stela, ashtu si dhe Brixhilda mendonte se kauzat dhe transparenca ishte e mangët tek organizatat rinore.

“Mendoj se në vendin tonë organizatat rinore nuk kanë një zë të fuqishëm dhe kanë mungesë të transparencës”.

Një këshillë që Stela kishte për të rinjtë, ishte që të ndjekin programet e shkëmbimeve, si Erasmus+ ose POSIG.

Si përfundim, të rinjtë shqiptarë do vazhdojnë të mbeten në një udhëkryq, të anëtarësohen apo jo në këto organizata. Shpeshherë, për disa anëtarësimi bëhet me shpresën që të krijojnë kontakte dhe të kapin majat.

Pjesa e tjetër do të vijojë rrugëtimin e tyre, vetëm, pa nevojën e një platforme që nuk dihet a i përfaqëson si duhet apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore