Sport

Pirlo festë të dyfishtë, Buffon-i e mbyll me trofe te Juventus-i


Juventus-i ka arritur të mposhtë Atalanta-n në finalen e Kupës së Italisë në “Mappei Stadium”, me rezultatin 2-1, ku të pranishëm ishin mbi 4 mijë tifozë. Dejan Kulusevski dhe Federico Chiesa ishin heronjtë e bardhezinjëve.

Andrea Pirlo e ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme datëlindjen e 42-të të tij, duke fituar trofeun e Kupës së Italisë, për herë të parë si trajner. Më herët, Pirlo fitoi edhe Superkupën e Italisë përballë Napoli-t.

Si lojtar, Pirlo e ka fituar dy herë Kupën, një herë me Juventus-in, në sezonin 2014/15 dhe një herë me Milan-in, në sezonin 2002/03.

Gardiani i portës së Juventus-it, Gianluigi Buffon ka luajtur ndeshjen e fundit me fanellën e Juventus-it, pasi pak ditë më parë deklaroi se do të largohet në fund të sezonit nga Zonja e Vjetër.

Buffon e mbyll aventurën e dytë te Juventus-i me trofeun e Kupës së Italisë, trofe të cilin e ka fituar edhe katër herë të tjera me bardhezinjtë dhe një herë me Parma-n.

Por, ajo që vlen të theksohet është fakti se Buffon-i, trofeun e parë të Kupës e ka fituar kur luante me Parma-n në sezonin 1998/99 dhe në skuadër kishte Enrico Chiesa-n, të atin e Federico Chiesa-s.

Ndeshja ishte e luftuar nga të dy ekipet. Teknikët kishin hedhur në fushë formacionet më të mira. Në total, Atalanta lëshoi 11 gjuajte drejt portës së Juventus-it, ndërsa bardhezinjtë gjuajtën 14 herë në portën e mbrojtuar nga Pierlugi Gollini, prej të cilave gjashtë ishin në kuadrat dhe dy rezultuan fatale.

Pjesa e parë, fliste më shumë për ekipin e Gian Piero Gasperini-t, por do të ishin bardhezinjtë që do të shënonin të parët. Në minutën e 31, ishi i kësaj sfide, Kulusevski, shfrytëzojë mjaft mirë një asist nga amerikani, Weston McKennie, duke ndëshkuar Atalanta-n.

Shifrat do të barazoheshin në minutën e 41 nga Ruslan Malinovskyi. Ukrainasi shënoi një gol klasik të stilit të tij, nga jashtë zone, duke lëshuar një të majtë të fuqishme. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, djemtë e Pirlo-s ishin më kërkues, duke e gjetur golin në minutën e 73. Chiesa shënoi për 1-2, pas një kombinimi perfekt me Kulusevksi-n. Chiesa u afrua edhe më herët golit, duke goditur shtyllën.

Goli i Chiesa-s do të vuloste shifrat përfundimtare të ndeshjes dhe në minutat e mbetura shifrat e nuk do të ndryshonin. Juventus-i ia doli të fitonte trofeun e Kupës së Italisë, pas një sezoni zhgënjyes në kampionat.

Me trofeun e fituar të mërkurën në mbrëmje, Juventus-i shkon në kuotën e 14 trofeve të Kupës së Italisë, duke qenë ekipi me më shumë trofe të tillë. Ekipi i dytë, me më shumë trofe pas Juves është Roma, me nëntë të tillë. Ndërkohë, Atalanta ka vetëm një trofe, të fituar në 1963 dhe tre finale të humbura tanimë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore