Kosova

Petkoviç i ankohet ambasadorëve të Amerikës Latine për mos-formimin e Asociacionit


Petar Petkoviç dhe ambasadorët e Amerikës Latine

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, të enjten, ka takuar ambasadorët e shteteve të Amerikës Latine në Serbi: Argjentinës, Brazilit, Kubës, Meksikës dhe Venezuelës.

Në një komunikatë për media e lëshuar nga kjo e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën, theksohet se Petkoviç ka shprehur mirënjohjen e tij për qeveritë e këtyre vendeve për “mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë dhe për respektimin e vazhdueshëm të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Petkoviç, siç theksohet në komunikatë, ka njoftuar ambasadorët e Argjentinës, Brazilit, Kubës, Meksikës dhe Venezuelës “për problemet me të cilat ballafaqohet populli serb çdo ditë në Kosovë”.

“Kurti kohët e fundit ndaloi përdorimin e dinarëve në Kosovë dhe transaksionet e pagesave me Serbinë”, ka thënë Petkoviç, ndërsa ka theksuar se Beogradi zyrtar për këtë çështje në dialog ka pasur “propozime konstruktive, por Prishtina i ka refuzuar”.

Petkoviç i është ankuar ambasadorëve të shteteve të Amerikës Latine edhe për mos-formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës.

“Jam i shqetësuar për faktin se Kosova me këmbëngulje refuzon të përmbushë obligimin për formimin e Asociacionit”, pretendoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore