Lajme

Përplasja Murati-Bajrami, ia vejnë njëri tjetrit në pikëpyetje kredencialet akademike


Hykmete Bajrami

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, në përgjigjen e tij ndaj deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), konkretisht Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, ka vënë në pikëpyetje kredencialet e tyre akademike në seancën ku po diskutohet projekt-buxheti.

Fillimisht, Murati, duke cituar deputetin Hoti, i cila tha se norma e interesit mund të ndikohet nga shteti, iu kundërpërgjigj duke theksuar se kjo është “e pasaktë”.

“E për fatkeq edhe për shkak të kredencialeve akademike që ka, meqenëse norma e interesit është rritur nga Banka Qendrore Evropiane, në kuadër të luftimit të shkallës së inflacionit që është krijuar në situatën post-pandemike”, tha Murati.

Pra, sipas ministrit, kjo “tregon pak më shumë sa i përket njohurive apo mungesës së tyre sa i përket çështjeve në fjalë”.

Përveç Hotit, në vlerësimin e Muratit as deputetja Bajrami “nuk i shërben kredencialeve të veta akademike kur del këtu edhe prezanton dy grafe për gjëra të ndryshme”.

“Mirëpo njëri është kumulativ dhe tjetri është margjinal, pra njëri është rritja 3 mujore, p.sh tek rritja ekonomike, me qëllim për të manipuluar opinionin publik për ta paraqitur gjoja se s’ka rritje ekonomike, e paraqet rritjen margjinale tremujore, kurse në anën tjetër sa i përket inflacionit e merr inflacionin kumulativ dhe e ndal tek viti 2022, se po të shkonte më tej e sheh se bie inflacioni”, pohoi.

Ky, sipas ministrit të Financave, “është manipulimi i pastër, që deputetja Bajrami e din çfarë po bënë, mirëpo nuk i shërben kredencialeve akademike ta bëjë një gjë të tillë, sepse e humb seriozitetin e fushës”.

Përgjigja Muratit i ka ardhur pikërisht nga deputetja Bajrami.

Fillimisht ajo i tha ministrit që kur të bënë krahasime sa i përket rritjes ekonomike, të mos i referohet vitit 2020, pasi që “duhet që ta kesh parasysh që një pjesë të atij viti ka qenë kryeministër Albin Kurti, e cila e pati marrë vendimin me mbyll krejt ekonomisë”.

Sa i përket normave të interesit, i tha ajo Muratit, “Hoti mundet vetëm që të të mbajë ligjërata ty”.

“Ai vetëm një faj e ka: që të ka lënë ty me punu në ministri të Financave, e ke dalur një produkt kaq i dobët”, theksoi.

Në fund ajo pyeti pushtetin aktual se cila është trashëgimia që qeveria aktuale do ta lejë, kjo sipas saj është pyetja.

“Sepse në opozitë keni hyrë në histori me gaz lotsjellës, me molotov, me zolla – çka do t’i leni trashëgimi këtij vendi pas mandatit 4 vjeçar me 11.4 miliardë të menaxhuara, kjo është pyetja”, përfundoi ajo replikën e saj ndaj Muratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore