Tanët

“Përmes Distrias, shkëlqyem para botës”


Foto-kolazh: Kryeministri, Albin Kurti, xhudistja Distria Krasniqi dhe presidentja Vjosa Osmani

Si nderë dhe krenari, e kanë përshkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani, fitoren e medaljes së artë xhudistes Distria Krasniqi, në “Tokyo 2020”.

Kjo ishte medalja e parë për Kosovën në këto lojëra olimpike, dhe e dytë në përgjithësi për Kosovën në olimpiada.

Distria iu parapriu të gjithëve në Tokyo 2020, duke e mbyllur rrugëtimin e saj e para, në mënyrë shumë të mirë.

“Në garën e parë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, Kosova fiton medaljen e artë. Faleminderit që po bëni krenar secilin prej nesh. Me zemër jam me ju në Tokio”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkohë, edhe presidentja Osmani, që e ka ndjekur nga afër paraqitjen e Distrisë, ka shkruar për suksesin e saj.

“Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme”, shkruan Osmani.

“Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës”.

“Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës. Kosova do të krenohet me ty. Bravo!”, përfundon shkrimi i presidentes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore