Lajme

Përmbysja e ligjit të abortit në SHBA, “shpërngulen” kompanitë amerikane që ofrojnë shërbimin


Njerëzit duke protestuar përpara një gjykate në qendër të Los Angeles, të shtunën. ©: Apu Gomes/AFP/Getty Images

Shumë gjigantë të korporatave amerikane kanë lëvizur me shpejtësi për t’u ofruar mbështetje dhe ndihmë financiare punonjësve që synojnë aborte, por që jetojnë në shtetet që shpallën të jashtëligjshme procedurën pas vendimit të Gjykatës Supreme Amerikane të premten, e cila përmbysi vendimin e saj historik “Roe v Wade”.

Në paketat e përfitimeve të punonjësve, shumë punëdhënës kanë shtuar “kujdesin kritik shëndetësor”, ndërkohë që miliona gra kërkojnë të kalojnë kufijtë shtetërorë për procedurën.

Shumë banka dhe firma teknologjike kanë njoftuar se do të mbulojnë shpenzimet e udhëtimit për punëtorët amerikanë, që kanë nevojë për abort, si pjesë e përfitimeve të tyre mjekësore. Pasi ndryshimi u njoftua të premten, Banka e Amerikës dhe “Goldman Sachs” iu bashkuan “Citigroup” dhe “JPMorgan Chase” në ofrimin e përfitimeve të udhëtimit.

Firmat e teknologjisë, gjithashtu, kanë lëvizur për të përmbushur nevojat e punonjësve. “Microsoft” zgjati mbështetjen e tij financiare për “kujdesin kritik shëndetësor”, pasi u zbulua fillimisht draft-versioni i opinionit të Gjykatës Supreme që përmbysi Roe.

“Apple” ka deklaruar se paketa ekzistuese e përfitimeve i lejon punonjësit të udhëtojnë jashtë shtetit për kujdes mjekësor dhe “Facebook Meta” ka thënë se do të ofrojë rimbursim të shpenzimeve të udhëtimit “në masën e lejuar me ligj”.

Në argëtim, “Disney”, “Condé Nast”, “Warner Bros Discovery” dhe “Netflix” janë ndër ata që kanë thënë se do të ofrojnë rimbursime për udhëtimet.

Ndërkohë që kompanitë e mëdha mund të zbusin vendimin e gjykatës supreme, masat mund të mos adresojnë shqetësimet e punonjësve në firmat që vitet e fundit janë vendosur në shtete me taksa të ulëta ose që kanë miratuar kufizime, ose në thelb kanë ndaluar aksesin në abort.

Texas e ka shitur veten në mënyrë agresive, si një shtëpi me taksa dhe rregullore, për gjigantët si: “Oracle”, “Hewlett-Packard” dhe “Tesla”.

“Facebook”, “Amazon” dhe “Apple” kanë rritur praninë e tyre atje.

Por angazhimi i Texas-it, si Missouri, për një ndalim pothuajse total të abortit, tani mund të bjerë ndesh me vlerat e deklaruara të këtyre kompanive duke dëmtuar aftësinë e shtetit për të tërhequr biznese, punonjës dhe investime të reja.

Në fillim të këtij viti, përfaqësuesi i shtetit të Texas-it, Briscoe Cain, i dërgoi një letër për ndërprerjen dhe heqjen dorë “Citigroup-it”, duke thënë se do të propozonte legjislacion, sipas të cilit do të ndaloheshin lokalitetet në shtet të bëjnë biznes me çdo kompani që ofron përfitime udhëtimi për punonjësit që kërkojnë abort.

Por shumë kompani të mëdha kanë qëndruar të heshtura, duke përfshirë “McDonald’s”, “PepsiCo”, “Coca-Cola”, “General Motors” dhe “Walmart” me bazë në Arkansas – punëdhënësi më i madh në SHBA me dhjetëra dyqane në shtetet që kanë miratuar ndalimin e abortit.

Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit, organizatë që përfaqëson disa nga kompanitë më të fuqishme të vendit, ka thënë se “nuk ka një qëndrim mbi meritat e rastit”.

Ndoshta një shqetësim më urgjent është se për miliona njerëz, që nuk janë të punësuar nga një kompani e madhe ndërkombëtare ose kombëtare, kufizimet e abortit paraqesin një sfidë më të rëndë.

Sipas Institutit pro-zgjedhjes, “Guttmacher”, ndalimet dhe kufizimet e abortit nuk reduktojnë shtatzëninë e padëshiruar ose kërkesën për abort.

Përkundrazi, ato vendosin pengesa të rëndësishme për marrjen e kujdesit, duke shkaktuar stres te njerëzit që kanë nevojë për abort dhe duke i bërë disa të përjetojnë shtatzëni të detyruar dhe të gjitha pasojat e saj shqetësuese.

Si përgjigje, qeveritë rajonale dhe organizatat e komunitetit kanë filluar përpjekjet për të ndihmuar këdo që ka nevojë për procedurën. Kryetari i Bashkisë së Baltimores, Brandon Scott, ka njoftuar se qyteti do të japë 300 mijë dollarë grante për organizatat që ofrojnë aborte dhe planifikim familjar.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, majtas, bisedon me avokaten Sarah Weddington, e cila debatoi Roe vs Wade, pas një konference shtypi në Dhomën e Kuqe në Capitol të martën, 4 qershor 2013.

Disa shtete me prirje majtas kanë parë që procedurat e abortit janë rritur, pasi shtetet përreth shtrënguan aksesin edhe para rënies së Roe.

Në Illinois, aborti u rrit me një të katërtën midis 2017 dhe 2020. Guttmacher tha në përgjigje se “fondet lokale dhe kombëtare të abortit rritën kapacitetin e tyre dhe ndihmuan edhe më shumë njerëz të paguajnë për abortet e tyre”.

Por me një peizazh gjithnjë e më të fragmentuar dhe gjithnjë e më të polarizuar të abortit, shumë kompani ka të ngjarë ta gjejnë veten të detyruar t’u përgjigjen si aktivistëve pro-zgjedhjes, ashtu edhe atyre të abortit, ndërkohë që zotohen të promovojnë barazinë e grave dhe avancimin në vendin e punës.

Çështja e lirisë për të udhëtuar në shtetet e tjera për një çështje të procedurës së abortit ka një mbështetës të dukshëm, anti-Roe. Në opinionin e tij të përbashkët të lëshuar të premten, gjyqtari Brett Kavanaugh tha se do të ishte jokushtetuese që një shtet të vendoste kufizime udhëtimi. “Sipas mendimit tim, përgjigjja është jo, bazuar në të drejtën kushtetuese për udhëtime ndërshtetërore”, shkroi Kavanaugh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore