Lajme

Aborti, tashmë i ndaluar në shumicën e shteteve amerikane


Aborti u bë tashmë i paligjshëm në shumë shtete të SHBA-ve, me ndalimet e futura brenda disa orësh pasi “Roe v Wade” u përmbys.

Gjykata e Lartë amerikane hoqi të premten të drejtën kushtetuese për abortin, më shumë se 50 vjet pasi ajo u miratua duke iu dhënë shteteve mundësinë që të vendosin vet.

Kjo pritet të çojë në ndalimin e abortit në rreth gjysmën e shteteve.

Sipas një faqe interneti të lidhur me Planned Parenthood, organizatën amerikane të kujdesit shëndetësor seksual, mbetet e ligjshme të udhëtosh jashtë shtetit për të kryer një abort.

Ndër shtetet e para që nxorën jashtë ligjit pothuajse të gjitha abortet ishte Utah.

Senatori republikan i shtetit të Utah-s, Daniel McCay, tha se do të ishte e gabuar që gratë e Utah të kërkonin aborte në shtetet fqinje, por ai nuk kishte plane të menjëhershme për t’i ndaluar ato që ta bënin këtë.

Alabama i ndaloi shpejt abortet – duke e bërë krim kryerjen e një aborti në çdo gjendje shtatzënie, duke përfshirë viktimat e përdhunimit dhe incestit.

Përjashtimi i vetëm është për hir të shëndetit të nënës.

Menjëherë pas njoftimit, departamenti i shëndetësisë i Arkansas tha se abortet tani ishin të ndaluara përveç se për të mbrojtur jetën e nënës në një urgjencë mjekësore.

Dhënia fund e mbrojtjes kushtetuese për abortet është përshkruar si një lëvizje “pas” nga liderët botërorë dhe organizatat shëndetësore.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson, të gjithë e kanë dënuar anulimin e vendimit historik “Roe vs. Wade” nga Gjykata Supreme.

Kurse kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se vendimi ishte “jashtëzakonisht shqetësues”.

“Të heqësh të drejtën themelore të një gruaje për të marrë vendime mbi trupin e vet është tepër shqetësuese”, ka thënë ajo.

Kohët e fundit, në Zelandën e Re janë ndërmarra hapa për të dekriminalizuar abortin dhe për ta trajtuar atë si një çështje shëndetësore dhe jo si çështje penale.

Sakaq, Boris Johnson e ka përshkruar vendimin e gjykatës si një “hap të madh prapa”.

Ndërsa Trudeau ka thënë se “asnjë qeveri, politikan apo burrë nuk duhet t’i thotë një gruaje se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë me trupin e saj”.

Agjencia e OKB-së që merret me shëndetin seksual dhe riprodhues ka treguar se të dhënat globale kanë nxjerrë se kufizimi i aksesit e bën abortin më vdekjeprurës.

Sakaq, Fondi i Popullsisë i OKB-së ka nxjerrë një deklaratë pas vendimit të gjykatës duke vënë në dukje se një raport i vitit 2022 thoshte se gati gjysma e të gjitha shtatzënive në mbarë botën ishin të paqëllimshme.

Dhe se mbi 60 për qind e këtyre shtatzënive mund të përfundonin me abort.

“45 për qind e të gjitha aborteve në mbarë botën janë të pasigurta, duke e bërë këtë një shkak kryesor të vdekjes së nënës”, ka pohuar agjencia.

Nga ana tjetër, thuajse të gjitha abortet e pasigurta kanë ndodhur në vendet në zhvillim. Kështu, “më shumë aborte të pasigurta do të ndodhin në mbarë botën nëse aksesi në abort bëhet më i kufizuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore