Përballje

Përfundon java e 31-të në Superligën e Kosovës, befasohet kampioni


Kanë përfunduar edhe katër ndeshjet e fundit të xhiros së 31-të, në Superligën e Kosovës në futboll.

Befasia më e madhe e kësaj xhiro dhe ndoshta e tërë edicionit të Superligës së Kosovës, ishte barazimi i kampionit aktual Dritës ndaj Besës e cila tashmë edhe zyrtarisht ka rënë nga Superliga.

Ndeshja e cila u zhvillua në Pejë, u zhbllokua në minutën e 19-të, ku futbollisti i Besës Ardit Tahiri, shënoi për epërsinë 1:0.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Besës, teksa presioni i intelektualëve ishte i vazhdueshëm.

Drita e kërkoi shumë golin e barazimit dhe e gjeti atë në minutën e 63-të përmes Ergyn Ahmetit, por ky doli të jetë vetëm goli i një pike në këtë ndeshje, pasi që Drita nuk arriti të bëjë më shumë.

Me këtë barazim, Drita bie në vendin e tretë në tabelë me 65 pikë, dy më pak se lideri Ballkani, dhe një më pak se vendi i dytë Prishtina.

Ndërsa skuadra nga Peja, Besa pozicionohet e fundit në tabelë me 11 pikë gjithsej, e cila edicionin e ardhshëm do ta luajë në Ligen e Parë të Kosovës.

Ndeshje interesante dhe tejet e tensionuar u zhvillua në Suharekë, aty ku Ballkani ishte nikoqir i Llapit.

Vendasit i mposhtën llapjanët me epërsi minimale, me golin e shënuar nga Blend Baftiu në minutën e 33-të të takimit.

Ndeshja më pas u ndërpre për disa momente, dy minuta pas golit të avantazhit, pasi kishte një përleshje mes futbollistëve dhe zyrtarëve të dy skuadrave.

Tensioni vazhdoi edhe në fund të takimit, ku skuadra e Llapit pretendoi për një penallti në minutat e fundit shtesë, por gjyqtari Besfort Kasumi, nuk e akordoi atë.

Në fund tre pikët i takojnë Ballkanit, të cilët ngjiten në krye të tabelës me 67 pikë, një më shumë se Prishtina e venit të dytë.

Ndërsa skuadra e Llapit mbetet në pozitën e pestë me 39 pikë gjithsej.

Në ndeshjen tjetër të kësaj xhiro, Prishtina triumfoi ndaj Trepçës’89 me rezultat 3:1.

Takimi i zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, u zhbllokua vetëm në pjesën e dytë.

Vendasit shënuan dy herë përmes Leotrim Kryeziut dhe një gol të Endrit Krasniqit, ndërsa për mysafirët golin e vetëm në ndeshje e realizoi Arbnor Muja.

Prishtina me tre pikët e marra në këtë takim, ngjitet në pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Trepça’89 mbetet në zonën e rrezikshme në tabelë, pasi që është vetëm dy pikë larg nga veni i nëntë, i cili dërgon në Ligën e Parë në sezonin e ardhshëm.

Ndërsa në ndeshjen tjetër të Superligës, Drinica ka arritur të marrë një pikë shumë të rënësishme në udhëtim te Gjilani, në garën e ashpër që po zhvillohet për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar për edicionin e ardhshëm.

Takimi u mbyll pa gola, me Drenicën që tashmë pozicionohet e shtata në tabelë me 35 pikë, po aq sa kanë edhe Feronikeli i vendit të gjashtë dhe Trepça’89 në vendin e tetë.

Ndërsa skuadra e Gjilanit, mbetet në venin e katërt në tabelë, pas asnjë objektivë në këtë sezon.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore