Lajme

Për 11 muaj mbi 51 mijë qytetarë aplikuan për pasaportë


Ilustrim.

Nga 1 qershori i 2023-ës deri më 6 nëntor mbi 51 mijë qytetarë kanë aplikuar për herë të parë për pasaportë.

Në mesin e personave që kanë aplikuar dominojnë grup-mosha 0-2 vjeç dhe grup-mosha 18-22 vjeç, kështu është bërë e ditur përmes disa të dhënave nga MPB-ja dërguar Radio Evropës së Lirë.

Edhe agjencitë turistike në Kosovë, kanë pohuar se ka rritje të interesimit të qytetarëve dhe grupeve të organizuara për oferta të udhëtimit në vendet e Bashkimit Evropian, pas 1 janarit, 2024, por, sipas tyre, nuk bëhet fjalë për ndonjë fluks masiv.

Blerina Gashi, nga agjencia turistike ajrore Eurokoha, thotë se në bazë të rezervimeve të deritashme, qytetarët në mesin e 20-tave janë më të interesuar për të udhëtuar.

Edhe Fatmire Beqiri, nga agjencia turistike Veneta Travel, thotë se ka filluar tashmë përgatitjet për udhëtime të organizuara pas 1 janarit.

“Interesimi për to është shumë i madh, pasi, deri më tash, ka pasur probleme për t’u pajisur me viza dhe shumë qytetarë as që kanë tentuar t’i grumbullojnë dokumentet e shumta për aplikim”.

Kurse, ngjashëm kanë pohuar edhe në agjencinë që organizojnë udhëtime me autobusë.

Ruzhdi Kurtishaj, nga Sharr Travel, thotë se, “interesimi i vërtetë për të udhëtuar pritet të shihet nga dhjetori e andej”.

Liberalizimi i vizave ka sjellur frikën se shumë nga të rinjtë do të largohen nga Kosova për punësim dhe shkollim.

Më 2 tetor, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, kishte sqaruar se kur qytetarët mund të udhëtojnë pa viza dhe në cilat raste atyre nuk do t’u lejohet të dalin jashtë vendit në rast të parregullsive.

Përmes një komunikate për media thuhej se “poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër”.

Po ashtu, ambasada njoftoi se viza do të mundësohet për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive.

Përfshirë edhe takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

Vendimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024, pasi kjo çështje u lidhë me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Të papunët kanë ikur moti, tash po ikin punëtorët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore