Lajme

Ambasada Gjermane: Keqpërdorimi i vizave mund të ndaloj hyrjen në zonën Shengen deri në 5 vjet


Flamuri i Kosovës dhe Gjermanisë.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka sqaruar se kur qytetarët mund të udhëtojnë pa viza dhe në cilat raste atyre nuk do t’u lejohet të dalin jashtë vendit në rast të parregullsive.

Përmes një komunikate për media thuhet se “poseduesit e pasaportave të Kosovës duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër”.

Po ashtu, ambasada njofton se viza do të mundësohet për qëndrime të shkurtra, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive.

Përfshirë edhe takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

“Ju mund të qëndroni deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore brenda zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes numrin e ditëve të qëndrimit tuaj, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore”.

“Periudha e qëndrimit llogaritet nga data e parë e hyrjes në çdo zonë Shengen”, njofton ambasada gjermane.

Tutje ambasada bën të ditur se keqpërdorimi mund të çojë në refuzimin e hyrjes në të ardhmen në raste të tilla si: qëndrimi përtej 90 ditësh në periudhë prej 180 ditësh, punësimi pa leje, nëse përbëni kërcënim për sigurinë publike ose përfshiheni në aktivitete kriminale.

“Keqpërdorimi dhe qëndrimi përtej periudhës së mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbim dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në 5 vjet”.

Vendimi i liberalizimit të vizave për kosovarët do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2014, pasi kjo çështje u lidhë me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore