Lajme

Të papunët kanë ikur moti, tash po ikin punëtorët


Fotografi nga fotografi italian Marco Di Lauro: Piktura e vetmuar në murin e zbrazur. Fotografia është realizuar në Kosovë.

Tash e pesë vjet E.I., punon në njërën nga kafiteritë e Prishtinës.

Pesë vjet përvojë pune, por paga i ka mbetur e njëjtë siç e kishte ditën kur filloi – 350 euro.

Vendin e punës mund ta ndryshojë, por s’e ndryshon dot gjendjen. “Të gjithë janë njësoj”, thotë.

Prandaj, e vetmja alternativë për të është “ikja”. Jo vetëm nga vendi i punës, por nga Kosova.

“Rritje të pagës kam kërkuar, por nuk ka ndonjë ndryshim. Kështu që mendoj që zgjidhja e vetme është largimi nga Kosova, pasi edhe kur mbaj dy puna për ne familjarëve është vështirë që ta kalojmë muajin”, tregon për Albanian Post.

Me dy paga, përkundër se të vogla, deri në këtë vit disi ecte, “por me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve ushqimore aktualisht dhe pa rritje të pagave, vështirë se mund të mbijetojmë”.

E.I., është vetëm një nga ata që i takojnë grupit “përkundër se punon, prapë dëshiron të largohet”.

Ai është pjesë e një komuniteti të madh që e mundon e tashmja dhe e frikëson e ardhmja.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, di shumë raste si të E.I.

Kjo e ka bërë të alarmojë prej kohësh se “tregu i punës së Kosovës është i rrezikuar në një shkallë të lartë”.

Në një bisedë për Albanian Post, ai thotë se “kemi raportuar qysh në vitin 2020, 2021 dhe në fillim të këtij viti që Kosova mund të rrezikoj që të mbetet pa fuqi punëtore”.

“Nëse fuqia punëtore së pari nuk trajnohet dhe nëse trendi i vitit 2022 vazhdon që kosovarët të ikin siç ishte viti i kaluar që janë larguar 45 mijë punëtorë”, atëherë – Shahini është i bindur – sistemi kolapson.

Foto: Ilustrim.

Si ekspert i fushës, Shahni argumenton se kjo çoroditje ka ardhur në mungesë të një sistemi, të cilin do ta krijonin politikat zhvillimore – “po të kishte”.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është zinxhirë që çon në hallkën fatale.

Pa punëtorë, s’ka as biznese dhe pa biznese s’ka as ekonomi.

“Po vuajmë nga mungesa e politikave zhvillimore”, deklaron.

Të lënë kështu në vetërregullim arkaik, thotë se situata do marrë rrugën njëdrejtimëshe për në shkatërrim.

“Bizneset po kanë vështirësi të mbijetojnë. Në anën tjetër punëtorët kërkojnë paga më të dinjitetshme me të drejtë. Por, edhe kompanitë me të drejtë ankohen që nuk mund t’i rrisin pagat”.

“Kjo është gjendja”, ankohet Shahni.

It’s (not) the economy, stupid

Lirim Krasniqi, bashkëdrejtues i organizatës Germin, e cila merret me çështje të diasporës, duke folur për Albanian Post, shpalosi diçka që shkon përtej shqetësimeve ekonomike të Shahinit.

“S’o gjithçka parja” për një grup të konsierueshëm të njerëzve që atë e kanë, por u mungon gjithçka tjetër.

“Pasiguria, jo stabiliteti politik, shërbimet e dobëta nga institucionet publike si dhe mos përmirësimi i indikatorëve të ndryshëm te kualitetit te jetës si uji, ajri, ushqimet janë disa prej faktorëve shtytës për emigrim”, thotë Krasniqi për AP.

Largimi i kosovarëve gjatë viteve të kaluara.

Krejt çfarë nuk po e gjejnë në Kosovë, kosovarët janë të bindur se e gjejnë në Perëndim.

Krasniqi, që i di edhe hallet edhe dëshirat e atyre që duan të largohen, thotë se “përveç faktorëve shtytës, janë edhe faktorët tërheqës të cilët po ndikojnë që një pjesë e konsiderueshme të vendosin të largohen”.

“Shembull në këtë drejtim janë lehtësirat qe vendet e zhvilluara perëndimore si Gjermania, kanë krijuar për fuqinë punëtorë nga vendet jashtë BE-së”, tregon.

Sipas tij, Gjermania ka përmbushur nevojat e tregut të punës për të rinjtë prandaj edhe numri më i madh nga Kosova emigrojnë pikërisht në këtë shtet.

“Më qellim të përmbushjes së nevojave të tregut të punës dhe për të balancuar piramidën e moshës së popullsisë, Gjermania ka krijuar mekanizma legjislativ dhe institucional (për shembull akti për imigracionin në 2020, njohja e patentë shofereve, etj.) të cilat e lehtësojnë shume migrimin dhe integrimin në këtë shtet për sidomos te rinjtë dhe të kualifikuarit nga vendet e Evropës Juglindore”.

Prapa në Kosovë shteti përton të marr masa të tilla.

Siç tregon edhe Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat për Albanian Post, këtu edhe kur ofrohet punë, kushtet e kontratës shpesh e bëjnë të papranueshme.

“Nuk mjafton vetëm të hapësh konkursin dhe të kërkosh punëtorë dhe gjithçka përfundon me kaq. Punëtorëve ju interesojnë kushtet, pagat. Për ndryshe kjo gjendje nuk ka ardhur nga qielli, por e kemi sjellur vetë. Në momentin që nuk ke krijuar kushte të mira të punës punëtori ka punuar aty, por gjithmonë mendja e tij ka qenë në kërkim të një zgjidhje më të mirë”.

Skenari i Azemit për të ardhmen, është njëjtë i murrmë si i Shahinit.

“Do jetë e rënduar fort”, pohon.

Ilustrim i një punëtori gjatë orarit të punës.

“Askush nuk dëshiron të mbetet në mëshirën e askujt, prandaj edhe si zgjidhje po e shohin ikjen jashtë vendit, jemi shumë mirë sot duke e ditur që e nesërmja do të jetë edhe më keq”.

Rreth shkeljes së të drejtave të punëtorëve Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe tek Inspektorati i Punës së Kosovës, por që nga të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marrë një përgjigje.

Të dhëna nga Agjencia e Kosovës për Punësim.

Kah po shkojnë kosovarët?

Në vitin 2021, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.

Sipas ASK-së, emigrimi është bërë për arsyeje të bashkimit familjar, martesë, gjetje e një vendi të punës dhe studime afatgjata.

Edhe në vitin 2020, atëherë kur në Kosovë kishte shpërthyer pandemia COVID-19, nga Kosova kishin emigruar mbi 8 mijë persona, në vitin 2019 mbi 34 mijë dhe në vitin 2018 mbi 28 mijë.

Destinacionet më të synuara të kosovarëve janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-ja, Turqia dhe Kanadaja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore