Lajme

PDK kërkon dorëheqjen e ministrit Liburn Aliu


Eliza Hoxha, Deputete në PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliut, për keqpërdorimin e 9 milion eurove.

Deputetja e kësaj partie, Eliza Hoxha, thotë se dorëheqja duhet të ndodhë për t’i hapur rrugë hetimeve të lira në këtë ministri, e cila dyshohet se i keqpërdori këto para duke lidhur 42 kontrata njëburimore, pa konkurrencë dhe pa procedura, në periudhën kohore 22 mars 2021 deri më 7 prill 2022.

“Me 18 prill të këtij viti, përmes një konference të ngjashme për shtyp, ju kemi adresuar mediave dhe qytetarëve, për të ngritur shqetësimet tona të bazuara rreth keqpërdorimit të pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës, duke prezantuar fakte e dëshmi për atë që ne e konsiderojmë si një ndër aferat më të dyshimta korruptive brenda kësaj ministrie”.

“Përkatësisht, ku nga vetëm 22 marsi i vitit 2021, e deri me 7 prill të këtij viti, pra për një vit e dy javë, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur gjithsej rreth 42 kontrata një burimore, duke keqpërdorur hiq më pak se rreth 9 milionë euro para të taksapaguesve, përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë”, tha ajo.

Sipas deputetes Hoxha, këtë aferë të dyshimtë korruptive të ngritur nga PDK, janë bërë më të fuqishme pas raportimeve të medieve, së fundi.

“Një të tillë e kemi parë jo më larg se para dy ditësh nga hulumtimi i gazetës Nacionale, ku janë prezantuar fakte e dëshmi të marrëveshjeve të kundërligjshme mes akterëve, të cilët kanë për referencë anëtarë të ngushtë të Kabinetit të Ministrit Aliu. Pra, pushteti i Qeverisë Kurti, Ministrinë e Infrastrukturës dhe jo vetëm, e ka shndërruar në burim të keqpërdorimit të parasë publike”, shtoi ajo.

Hoxha kritikoi Qeverinë për heshtje ndaj këtyre dyshimeve të bazuara dhe theksoi se PDK do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj akterëve të përfshirë në këto afera.

“Jo vetëm që s’kemi parë llogaridhënie e përgjegjësi, por kemi parë një mësymje të pushtetit për të legjitimuar e amnistuar këta protagonistë, gjë që flet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me emra të përveçëm, por më një sipërmarrje politike qeveritare që është e prirur për korrupsion e abuzim”, tha Eliza Hoxha.

Një media në Kosovë ka publikuar një audio-përgjim përmes të cilit aludohet se Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, apo dikush brenda ministrisë së tij, i afërt me të, është i përfshirë në një afër korruptive.

Për rastin Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet.

Por, Enver Dugolli, bashkëpartiak i Aliut dhe deputet i Kosovës, i ka dalur në mbrojtje ministrit duke ofenduar ata që po e dyshojnë situatën si një afër e mundshme korruptive.

“Liburn Aliun e njoh në kohë të vështira. E njoh atëherë kur disa bënin biznes me Serbinë dhe kritikonin ata që merrnin guximin të organizoheshin për të fituar lirinë”, shkruan Dugolli.

Problemi është se Dugolli mbrojtjen nuk e bën me fakte, por bazuar mbi përshtypjen e tij për karakterin e ministrit.

Si dëshmi të vetme jep, “sigurinë që ka ai”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore