Lajme

Enver Dugolli objektiv: “Kokorizni sa të doni se Liburni nuk korruptohet” – kërkon të hetohen edhe gazetarët


Liburn Aliu dhe Enver Dugolli

Një media në Kosovë ka publikuar një audio-përgjim përmes të cilit aludohet se Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, apo dikush brenda ministrisë së tij, i afërt me të, është i përfshirë në një afër korruptive.

Për rastin Prokuroria e Kosovës ka filluar hetimet.

Por, Enver Dugolli, bashkëpartiak i Aliut dhe deputet i Kosovës, i ka dalur në mbrojtje ministrit duke ofenduar ata që po e dyshojnë situatën si një afër e mundshme korruptive.

“Liburn Aliun e njoh në kohë të vështira. E njoh atëherë kur disa bënin biznes me Serbinë dhe kritikonin ata që merrnin guximin të organizoheshin për të fituar lirinë”, shkruan Dugolli.

Problemi është se Dugolli mbrojtjen nuk e bën me fakte, por bazuar mbi përshtypjen e tij për karakterin e ministrit.

Si dëshmi të vetme jep, “sigurinë që ka ai”.

“Një gjë jam shumë i sigurt, për aq sa e njoh, dhe e njoh shumë mirë, Liburn Aliu nuk frikësohet e shantazhohet, e aq më më pak të korruptohet. E di që figura e pastër e Liburnit edhe mund t’i trembë disa, por s’kemi çka bëjmë, ai nuk do ua lag fytin askujt. Le të kokorizin sa të duan”.

Dugolli pohon se kjo s’është hera e parë që sulmohet mediatikisht Aliu.

“Çuditërisht, Liburnin u munduan ta pengojnë e ndalojnë edhe në fillim të mandatit (e që pastaj u vërtetua që nuk kishte asgjë të keqe, sepse kishte mbrojtur interesin publik), por ai nuk u ndal sepse e drejta mund të vonon por ajo triumfon”.

Në paragrafin e fundit të statusit të tij, Dugolli kërkon edhe hetim për gazetarët që e kanë publikuar lajmin.

“Dhe për fund, duke besuar plotësisht në punën e mirë dhe të ndershme të Liburnit, po dua të them; shumë mirë që kanë filluar hetimet, ama le të shkojnë deri në fund edhe ndaj atyre që për motive të ndryshme po tentojnë të njollosin figurën e tij”, deklaron ai.

Argumenti i Dugollit se njerëzit patriot që dikur kanë kontribuar për kombin nuk korruptohen, është rrëzuar qysh moti nga vetë kryeministri, Albin Kurti.

Kurti thoshte se ka shumë njerëz që i rezistojnë torturës, por nuk i rezistojnë dot lakmisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore