Shqipëria

PD Gjirokastër në konflikt – Aliko akuzon Bejkon se shkatërroi zyrat


Sipas kreut të Partisë Demokratike në degën Gjirokastër, Dasho Aliko, dyert e zyrave lokale të forcës politike janë shkallmuar nga i deleguari i kryesisë së PD-së, Roland Bejko, i cili sipas Alikos, ka dëmtuar rëndë edhe mjete logjistike, përfshi një databazë të dhënash në sistemin informatik.

“U njoftuam nga disa qytetarë që një grup njerëzish kishin ardhur dhe duke goditur me shqelma dyert”, shpjegoi Aliko në një deklaratë për mediat.

Kreu i PD Gjirokastër, Dasho Aliko

Sakaq, ai vetë, i është bashkuar lëvizjes së Sali Berishës me Komisionin e Rithemelimit, duke e quajtur atë si grup themeltar të demokratëve. Për këtë arsye, Aliko i ka bërë thirrje edhe Bejkos e mbështetësve të tjerë të kryetarit, Lulzim Basha, që të bashkohen me ta.

Kjo, pasi e cilëson lëvizjen e Berishës, si shumica brenda PD-së.

PD dega Gjirokastër

“Ata janë pjesa e jonë, duhet të respektojnë anëtarësinë e tyre. Ju jeni dëshmitarë se si në mënyrë barbare, janë thyer çelësat e dyerve. Sot jemi në riorganizimin e PD-së. Jemi munduar edhe me zotin Bejko. Ata të kthehen tek shumica, tek anëtarësia”, vijoi Aliko.

Roland Bejko

Sipas tij, kryetarët mund të ndërrohen, por primare është PD-ja.

Ndërsa, një thirrje, ka shkuar edhe për Bashën.

“Nëse Basha e quan veten të fuqishëm të futet në zgjedhje dhe aty të shohë nëse e duan dhe jo të na thotë neve llum. Basha i ka marrë PD-së sa si ka marrë askush tjetër. Turp të kenë të gjithë ato që kanë vënë dorën në selinë e PD-së”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore