Lajme

Partia e Jeremiçit thërret seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë për të diskutuar për Kosovën


Ndërtesa e Parlamentit të Serbisë

Partia Popullore Serbe ka dorëzuar iniciativë në Parlamentin e Serbisë për të thirrur urgjentisht “seancë speciale” për të diskutuar rreth Kosovës.

Në këtë inciativë të kësaj partie ftohet edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të raportuar para deputetëve për situatën në Kosovë.

“Duke pasur në mend se zbatimi i vendimeve nga Prishtina për dokumentet identifikuese si dhe regjistrimin e veturave u shtye për 30 ditë, si dhe takimi që Presidenti do të ketë më 18 gusht në Bruksel, ne besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi Kombëtar, pas një diskutimi gjithëpërfshirës, të kalojë aktet relevante në terme të ruajtjes së integritetit territorial, sovranitetin, të drejtat dhe interesat e Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të nacionalitetit serb në Kosovë”, thuhet në iniciativën e PPS-së.

Siç raporton Danas, hera e fundit kur ishte thirrur seancë për të diskutuar për Kosovën në Parlamentin e Serbisë, ishte maji i vitit 2019.

Ajo seancë u bojkotua nga shumica e deputetëve të opozitës pas vendimit për bojkotimin e punimeve të Kuvendit.

Vendimet e reja të Qeverisë së Kosovës

Kosova ka vendosur dy masa të reja ndaj Serbisë, përkatësisht ndalimin e targave ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe për veturat në Veri të Kosovës si dhe reciprocitetit e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serb që duan të hyjnë në Kosovë. Kjo masë vie pasi Serbia e aplikon të njëjtin regjim ndaj qytetarëve të Kosovë që u duhet të kalojnë nëpër Serbi.

Qeveria e Kosovës me kërkesën e ShBA-së dhe BE-së vendosi të shtyjë zbatimin e këtyre dy vendimeve për një periudhë kohore tridhjetë ditore si shkas i fushatës së madhe dezinformative nga Beogradi dhe Kremlini, e cila rezultoi në situatë tejet të tensionuar.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, menjëherë pas qetësimit të situatës thirri liderët e dy vendeve për takim në Bruksel më 18 gusht.

Ndonëse, qeveria e Kosovës ka thënë se në Bruksel nuk do të diskutohet rreth çëshjtes së targave ilegale dhe reciprocitetit për dokumentat e udhëtimit, pala serbe ka thënë se po.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore