Shqipëria

Pandemia, rritje e kirurgjisë plastike në Shqipëri


Stresi i pandemisë, fytyrat e përqendruara gjatë bisedave me video dhe komoditeti i fshehjes nën një maskë po nxisin një bum të kirurgjisë kozmetike në Shqipëri.

Operatorët jo të licencuar në krahun tjetër vazhdojnë të vënë pacientët në rrezik. Mjekët thonë se masivizimi është nxitur nga kërkesat e grave kryesisht të reja.

“Sa herë që shikoja fytyrën në ekran gjatë mësimit on line, nuk mund të thosha asnjë fjalë, më zinte ankthi”, tha A.K, një studente 20-vjeçare në Tiranë, e cila kishte bërë buzët në dhjetor.

“Mendoja se dukesha e shëmtuar, me rrathët poshtë syve të mi, hunda ishte shumë e madhe, buzët e mia ishin shumë të holla, një fatkeqësi e vërtetë”, vazhdon ajo.

Pas një operacioni për të rritur vëllimin e buzëve të saj, studentja duket e kënaqur me rezultatin.

Por, në një vend ku ekonomia informale është e përhapur, shumë pacientë po joshen nga qendrat joprofesionale dhe të keqpajisura, të cilët po reklamojnë dhe promovojnë çmime të lira.

Operatorë të pakualifikuar

Sallone të reja po shfaqen çdo ditë me oferta për një sërë trajtimesh pa aprovim ose mbikëqyrje mjekësore, tha Dr. Monika Fida, një profesore e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

Të reklamuara në mediat sociale, ofertat me kosto të ulët janë tërheqëse në një vend ku pagat mesatare mujore lëvizin rreth 400 eurove. “Ejani si grup prej katër vetash për të shijuar një zbritje prej më shumë se 50 për qind” në fryrjen e buzëve dhe ngritjen e vitheve, lexon një reklamë.

“Jeta nuk është e përsosur, por vetullat tuaja janë”, thotë një tjetër.

Këto sallone “përdorin pajisje që duhet të merren përsipër vetëm nga specialistë dhe mjekë të licencuar”, tha Dr. Brunilda Bardhi, e cila është e specializuar në trajtimet me lazer dhe mezoterapi që forcojnë lëkurën.

Sipas sondazheve në terren të kryera nga një shoqatë e mjekëve të dermatologjisë dhe kozmetikës që Bardhi drejton, rreth 70 sallone në Tiranë kanë pajisje lazer që përdoren nga personele të pakualifikuar.

Ndërhyrjet e hundës janë dyfishuar

Mjekët thonë se trajtimet më të shitura gjatë pandemisë janë përqendruar në injeksione të fytyrës-Botox, lifting të fytyrës – megjithëse operacionet e gjirit dhe vitheve vazhdojnë të jenë të popullarizuara.

Me mbipeshën që shihet si një faktor risku për ata që infektohen nga Covid-19, liposuksioni është gjithashtu i kërkuar në mesin e atyre që shpresojnë se mund të ndihmojë.

“Trendi është i qartë. Operacionet e hundës janë dyfishuar që nga fundi i masave të bllokimit në korrik”, tha Dr. Balloma. “Kirurgjia kozmetike shihet si një komoditet, një mënyrë për të lehtësuar pasigurinë e jetës sonë të përditshme dhe për t’u strehuar në një botë që e lëmon fytyrën”, shtoi ai.

Jorida Zegali, psikologe klinike në Universitetin e Tiranës, thotë se “presioni i komunikimit virtual” ka rritur përqendrimin drejt paraqitjes, duke u bërë një “fiksim”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore