Shqipëria

Pagat mesatare në Shqipëri, ulet hendeku midis grave dhe burrave


Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar të dhënat e fundit mbi pagat mesatare në Shqipëri, ku në sy bie se pavarësisht vitit pandemik 2020, gratë kanë arritur të rrisin pagat e tyre me 4.6% në raport me vitin 2019, duke ulur kështu hendekun e pagave mes tyre dhe burrave.

Këta të fundit nga ana tjetër, kanë arritur që pagat ti rrisin me vetëm 0.7%.

Në terma të gjerë, paga mesatare e grave shkoi në 51 mijë e 700 lekë. E burrave ndërkaq shkon në 55 mijë e 300 lekë. Shifrat e referuara janë ato bruto.

Pra, ndërsa në vitin 2019 gratë paguheshin 10.1% më pak se burrat, gjatë 2020-s ato paguhen 6.6% më pak se burrat.

Katër kategori pune, janë më të mirëpaguara për gratë se sa për burrat. Ndër to, kryesorja është ajo e drejtuesit administrativ dhe komercial. Në këtë kategori, në terma bruto, gratë fitojnë mesatarisht 166 mijë e 400 lekë. Kjo shumë është 17% më e lartë se sa ajo e drejtuesve burra.

Tre profesionet e tjera ku gjinia femërore ka epërsinë e pagës, janë ato të punonjësve në profesionet e elektro-teknologjisë, të shërbimeve personale dhe mbrojtëse dhe gjithashtu ato të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive.

Në tre profesione, shpërblimi mujor financiar është i ngjashëm. Bëhet fjalë për punonjëset e ndërtimit, shërbimin dhe ndihmën si edhe përgatitjen e ushqimit.

Profesioni i dyti më i mirëpaguara për gratë, është ai i drejtueseve të prodhimit dhe të shërbimeve të specializuara. Paga për këtë profesion është mesatarisht 102 mijë e 700 lekë. Gjithsesi, në këtë kategori, burrat paguhen mesatarisht 15% më shumë se gratë.

Teknologjia e informacionit ka parë gjithashtu përafrim të pagave. Me 96 mijë lekë në muaj, pagat e grave janë 4.5% më të ulëta se të burrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore