Përballje

Ovacione për Shaqirin në debutimin e tij (VIDEO)


Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Xherdan Shaqiri, realizoi një asistim në ndeshjen debutuese të tij me Lyon-in

Ai shërbeu për golin e dytë të skuadrës së tij në ballafaqimin me Strasbourg-un, të cilën e fituan me rezultat 3:1.

Derisa ishte duke ekzekutuar një rivënie nga këndi, emri i Shaqirit thërritej mes ovacionesh nga tifozët e Lyon-it.

Më pas, Shaqiri i kundërshpërbleu ata duke asistuar për shokun e skuadrës, Jason Denayer, i cili realizoi golin për 2:0.

Dy golat e tjerë për Lyon-in u realizuan nga Dembele dhe Paqueta, ndërsa golin e vetëm për mysafirët e shënoi Diallo.

Ndërkaq skuadra e Lyon-it pas pesë ndeshjeve të luajtura në kampionatin francez, pozicionohet në vendin e shtatë në tabelë me tetë pikë të grumbulluara, duke realizuar dy fitore, dy barazime dhe një humbje.

Pas ndeshjes Shaqiri, përmes një postimi në Twitter, falënderoi tifozët për mbështetjen e madhe që ia ofruan gjatë ndeshjes.

“Debutim dhe fitore. Faleminderit Les Gones për mbështetjen e mahnitshme dje”, shkruan Shaqiri.

Kujtojmë që Shaqiri iu bashkua Lyon-it brenda këtij afati kalimtar veror, të cilët paguan te Liverpool-i shumën e 11 miionë eurove.

Përveç Liverpool-it, ai luajti edhe në skuadra të ndryshme, si: Basel, Bayern Munich, Stoke City e Inter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore