Kosova

Osmani tregon arsyet se pse nuk do t’i denoncojë kërcënuesit e saj në rastin e Blerim Isufajt


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka lënë të nënkuptohet se për dy arsye kryesore nuk do t’i denoncojë personat të cilët kërcënuan atë në kohën sa ka pritur që shqyrtimet dhe ankesat sa i përket çështjes së procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit të përfundojnë në gjykata.

Në një intervistë për emisionin “Tempus” në KTV, Osmani ka bërë të ditur se arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se ajo po dëshiron t’i mbrojë personat që i kanë sjellur këto informata për kërcënime asaj dhe se nuk ka parë ndonjë efikasitete në punën e Prokurorisë.

“Si presidente e vendit e kam detyrim moral që t’i mbrojë personat të cilët kanë sinjalizuar të gjitha informatat që kanë ardhur në zyrën time me dëshmi konkrete për këto kërcënime”, ka thënë fillimisht ajo.

Gjatë intervistës, Osmani ka dhënë edhe një shembull për të ilustruar, sipas saj mos-efikasitetin e Prokurorisë.

“Në nëntor bëhen tre vite që ka ndodhur akti që ka rrezikuar sigurinë nacionale të Kosovës, ku persona në mënyrë kriminale kanë tentuar ta thyejnë sefin presidencial, në të cilin ka pasur dokumente të klasifikuara, sekret dhe top-sekret që kanë të bëjnë me siguri nacionale dhe që nga nëntori i vitit 2020 ne kemi denoncuar këtë rast dhe asnjë veprim nuk është marrë nga Prokuroria”.

Marrë për bazë këtë, Osmani ka thënë se nuk mund të denoncojë rastin në këtë prokurori “që nuk ka ndërmarre asnjë veprim për akte kur është rrezikuar siguria nacionale, e mos të flasim për akte kur kërcënohet presidentja në mënyrë individuale”.

Prandaj ajo ka bërë të ditur se këto informata do të mbesim informata vetëm për të në atë mënyrë që “për ta kuptuar se deri ku janë të gatshëm të shkojnë këta njerëz”.

Kur është pyetur se për mundësinë që vendimi për mos-dekretimin e kryeprokurorit të shkojë në Kushtetuese, Osmani tha se nuk sheh arsye për këtë, meqë sipas saj, tashmë janë numëruar shkeljet që janë bërë në procedurën e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të shtetit.

Megjithatë ajo mundësinë për dërgimin e vendimit në Kushtetuese e ka cilësuar si një hap jo të duhur politik, pasi ka theksuar se është kohë e vështirë për Kosovën dhe “beteja” do të duhej të ishte kundër Serbisë dhe jo kundër presidentes së shtetit.

“Sidomos në këtë moment tepër të rëndë që po e kalon Republika e Kosovës, ku ne jemi duke u marrë me sfida të sigurisë që nuk i kemi parë në këto 25 vjet, kur kemi probleme të mëdha me Serbinë, që të hapet një betejë puro politike me presidenten në vend se betejat tona të ishin me presidentin e Serbisë, nuk i shoh si hap të duhur politik. Por, është vendim që e marrin deputetët dhe ne jemi të gatshëm ta mbrojmë qëndrimin tonë”, ka thënë ajo.

Osmani gjatë intervistës ka hedhur akuza për Prokurorinë Speciale duke thënë se kjo e fundit e ka detyrë morale të japë përgjegjësi pse u janë hequr fletarrestet, atyre që ajo i ka quajtur “njerëz të Vuçiç-it”.

Duke komentuar deklaratën e prokurorit Sylë Hoxha që pati thënë se i është bërë presion për ta tërhequr fletarrestin ndaj Milan Radojiçiç-it, Osmani ka deklaruar se Prokuroria Speciale duhet të përgjigjet se si 25 vjet pas lufte “një udhëheqës i bandave kriminale në veri determinon procese juridike në Prishtinë”.

“Presidentja po e mbron ligjshmërinë, po e mbron kushtetutshmërinë, po e mbron edhe të shenjtën e luftës së UÇK-së, por ata që lejojnë që kriminelët që e kanë vrarë Afrim Bunjakun të enden të lirë, ata duhet të japin përgjigje. Ata i kanë borxh këtij shteti, jo vetëm juridik, por edhe moral. Si është e mundur që 25 vjet pas lufte, të bien nën presionin e bandave serbe, të cilat udhëhiqen nga Vuçiç-i. Të tillët patriotizëm nuk mund të më shesin. Pse ua hoqën fletarrestet njerëzve të Vuçiç-it? Kjo është përgjigja që presin qytetarët e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore