Lajme

Osmani: Progresi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të marrë formën përfundimtare në Ohër


Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vlerësoi se progresi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të marrë formën e tij përfundimtare në raundin e ardhshëm të negociatave në Ohër, më 18 mars.

Në një intervistë për portalin Racin.mk, ai tha se në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë dy hallka potencialisht të dobëta, kontesti Kosovë-Serbi dhe vështirësitë në funksionimin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe theksoi se mbyllja e njërës prej tyre do të jetë një hap i rëndësishëm në stabilizimin përfundimtar të rajonit.

“Ka dy hallka potenciale të dobëta, pika të dobëta në rajon. Njëra është mosmarrëveshja Kosovë-Serbi dhe tjetra është BeH dhe vështirësitë në funksionimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Mbyllja e njërës nga këto dy çështje do të jetë një hap i rëndësishëm në stabilizimin përfundimtar të rajonit, në pajtim dhe konsolidim të mëtejshëm euroatlantik”, tha Osmani.

Siç tha ai, “fakti që tani është bërë përparim serioz në Bruksel, fakti që ky progres mund të marrë formën e tij përfundimtare në Ohër, para së gjithash, e ka simbolikën e vet për shkak të suksesit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ofron një model për zgjidhjen e çështjeve etnike dhe është njohje e Maqedonisë së Veriut”.

“Në një farë mënyre po bëhemi pikë, referencë sesi ideja evropiane mund të përhapet në këto zona”, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), Bujar Osmani.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pati thënë se zgjedhja e kryeqytetit maqedonas si vend për takimin e radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet një simbolikë në vetvete.

“Të mos harrojmë se më 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviç-it dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin të rëndësishme që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, të na ftonte për takimin e radhës”, theksoi Kurti.

Në Kumanovë ishte nënshkruar Marrëveshja Ushtarako-Teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe nga territori i Kosovës dhe hapi rrugën për sulmet ajrore të NATO-s.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Borrell-it, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së” dhe për të gjitha ato qëu pajtuan të dy liderët do të ketë nevojë për një takim të ri që do të mbahet me 18 mars në Shkup.

Takimi me Vuçiç-in në Shkup, Kurti: Në Maqedoni u nënshkrua edhe kapitullimi i Millosheviçi-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore