Lajme

Takimi me Vuçiç-in në Shkup, Kurti: Në Maqedoni u nënshkrua edhe kapitullimi i Millosheviçi-it


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik në Shkup të Maqedonisë së Veriut, tha se zgjedhja e kryeqytetit maqedonas si vend për takimin e radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqet një simbolikë në vetvete.

“Të mos harrojmë se më 9 qershor 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviç-it dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin të rëndësishme që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, të na ftonte për takimin e radhës”, tha Kurti.

Në Kumanovë ishte nënshkruar Marrëveshja Ushtarako-Teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe nga territori i Kosovës dhe hapi rrugën për sulmet ajrore të NATO-s.

Ndryshe, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Borrell-it, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së” dhe për të gjitha ato qëu pajtuan të dy liderët do të ketë nevojë për një takim të ri që do të mbahet me 18 mars në Shkup.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e çka jo tjetër.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti vazhdimisht ka deklaruar se një mekanizëm një-etnik, do ta gjymtonte funksionalitetin e Kosovës multi-etnike, duke trumbetuar kështu “minishtetin” serb në Kosovë.

Ndërsa plani i propozuar franko-gjerman, që gëzon edhe mbështetjen amerikane, nuk e përfshin njohjen reciproke, sikur ngulmonte vazhdimisht Kurti e as anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore