Lajme

Osmani dhe kryeparlamentari i Islandës, diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit dypalësh


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Islandës, Birgir Armannsson.

Pas takimeve me presidentin dhe kryeministren e Islandës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Islandës, Birgir Armannsson.

Përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës thuhet se është diskutuar për të rritur bashkëpunimin dypalësh mes Kosovës dhe Islandës.

“Presidentja ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellim të bashkëpunimit dypalësh përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, në këtë kohë përcaktuese për Evropën”.

Osmani dhe Armannsson kanë biseduar edhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Sipas komunikatës, Osmani ka folur edhe mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

Presidentja sqaroi se “institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për sundim të ligjit dhe avancim të demokracisë, vlerësuar edhe në indekset e fundit ndërkombëtare, ku Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm”.

Teksa shtoi se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar për paqe dhe siguri të qëndrueshme.

Tutje presidentja ka falënderuar Islandën për mbështetje ndaj Kosovës, duke potencuar rëndësinë që ajo të vazhdojë edhe më tej në arenën ndërkombëtare.

Osmani, gjatë qëndrimit në Islandë, është takuar edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Islandës, Thordis Kolbrun Reykfjord Gylfadottir.

Edhe në këtë takim me ministren është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme.

“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe kontakteve përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të vendit tonë për promovimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ajo përmendi rëndësinë e madhe që ka për qytetarët e Kosovës avancimi tutje i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës”, thuhet në komunikatë.

Presidentja gjatë diskutimit me ministrinë ka theksuar edhe rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike të Kosovës, duke përmendur hapat e ndërmarra për përafrim me BE-në dhe NATO-n.

Më 2 shkurt, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Islandë është takuar kryeministren e këtij vendi, Katrin Jakobsdottir.

Takimin e ka bërë të ditur Osmani duke thënë se me Jakobsdottir ka biseduar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Shtyrja përpara e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është e një rëndësie të veçantë, meqë nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se kanë biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimeve me Islandën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, më 2 shkurt.

Vizita e Presidentes është bërë e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës.

Nga ky institucion është thënë se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Islandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore