Lajme

Shkërmoqen konservatorët në zgjedhjet vendore britanike, rezultojnë forcë e tretë


Ajo e konservatorëve në Britaninë e Madhe mund të mos jetë thjesht një rënie drastike, por një disfatë reale dhe një shkërmoqje e partisë më të fuqishme në vend, ku në bazë të rezultateve për këshilltarë bashkiakë, konservatorët përgjysmohen.

Një goditje shumë e fortë kjo dhe e drejtpërdrejtë për kryeministrin Rishi Sunak, i cili pati premtuar të ringrejë partinë në nivele të larta, por që ka dështuar deri tani të bindë popullin se qeverisja konservatore nuk ka më çfarë jep.

Treguesit e vendoreve nuk janë pasqyrë e plotë e asaj çfarë eventualisht mund të ndodhte nëse zgjedhjet parlamentare mbahen sot, por janë tregues i mirë i asaj çfarë shoqëria britanike po përjeton.

Fjala bie, edhe laburistët nuk kanë pasur rritje në nivelet që paramendohej.

Sipas projeksioneve, në rezultatet për këshilltarët, laburistët rriten me 169 vende nga zgjedhjet e fundit, duke rrokur 1 mijë e 19 të tillë.

Nga ana tjetër, surprizë janë Liberal-Demokratët, të cilët shfaqen si forcë e dytë dhe marrin 97 mandate më shumë, duke shkuar në 497 për zonat ku është votuar.

Konservatorët ndërkaq marrin vetëm 474, një rënie me 436 mandate dhe një ndryshim abisal.

Psherëtima e vetme çliruese lidhet me faktin se këto mbi 400 vende nuk i shkojnë drejtpërdrejt laburistëve.

Rritje të madhe në garat për këshilltarë kanë pasur të pavarurit, ashtu si edhe të gjelbrit.

Por sinjali i dërguar nga votimet është i qartë dhe i prerë: Konservatorët gjenden në pikën e tyre më të ulët që prej vitit 1997 dhe për të qenë të paktën të dinjitetshëm në zgjedhjet e ardhshme, do të duhet një mrekulli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore