Lajme

Osmani kërkon nga kryeministrja e Islandës shtyrjen përpara të anëtarësimit në KiE


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrja e këtij vendi, Katrin Jakobsdottir.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Islandë është takuar kryeministren e këtij vendi, Katrin Jakobsdottir.

Takimin e ka bërë të ditur Osmani duke thënë se me Jakobsdottir ka biseduar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Shtyrja përpara e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është e një rëndësie të veçantë, meqë nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se kanë biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimeve me Islandën.

“Sot në Rejkjavik, bashkë me kryeministren e Islandës, Katrin Jakobsdottir, diskutuam intensifikimin e bashkëpunimit me Islandën në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët, e në veçanti gjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës”.

Ndër të tjera, e ka falënderuar kryeministren e Islandës për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë si shtet Kosovës.

“Populli i Kosovës i është gjithnjë mirënjohës Islandës për mbështetjen e palëkundur përgjatë viteve, ndërsa bashkërisht, në frymë të vlerave të përbashkëta demokratike, do të vazhdojmë ta forcojmë partneritetin ndërshtetëror”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, ku do të mbaj takim edhe me homologun e saj, presidentin Guoni Th. Jóhannesson.

Vizita e Presidentes është bërë e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Presidencës.

Nga ky institucion është thënë se kjo është vizita e parë e një presidenti të Kosovës në Islandë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore