Zgjedhjet në Shqipëri

OSBE/ODHIR publikon raportin paraprak për zgjedhjet parlamentare


Përfaqësuesit e misionit të OSBE/ODHIR-it, në vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, nxorën një raport paraprak për ecurinë e tyre.

Koordinatori special dhe udhëheqës i periudhës afatshkurtër për misionin e OSBE/ODHIR, Azay Guliyev, tha se kandidatët kishin lirinë të ushtronin fushatën e tyre zgjedhore.

“Fushata nuk pati dinamikën e duhur, sepse mesazhet u fokusuan te liderët e partive dhe jo te programet”.

Vëzhguesit e misionit vlerësuan se procesi zgjedhor ishte i qetë dhe transparent, duke thënë se një ndër problemet që prekën ishte shitblerja e votës.

“Shitblerja e votave mbetet një problem serioz. Ka një ndikim negativ për besimin e publikut dhe besimin te procesi zgjedhor”.

Ata thanë se kjo metodë vendos në rrezik demokracinë e çdo vendi, jo vetëm të Shqipërisë.

“Vota është e fshehtë, pasi në të kundërt vendos në kërcënim qytetarin. Nuk po bëjmë akuza dhe nuk e dimë kush fshihet pas kësaj, por vendos në rrezik demokracinë e çdo vendi”.

Sipas raportit të tyre vlerësuan metodën elektronike, e përdorur për herë të parë në Shqipëri.

“Uroj të përdoret më shumë teknologjia në zgjedhjet pasardhëse”.

Guliyev tha se sistemet elektronike ulin rrezikun e votës familjare.

Nga rezultatet, thotë ai, deri tani Partia Socialiste kryeson, duke e bërë forcën kryesuese në vend.

Për sa i përket publikimit të të dhënave e cilësoi thyerje të privatësisë dhe konfidencialitetit.

Guliyev përmendi incidentin e Elbasanit, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë. Mes të plagosurve dhe një efektive e Njësisë Shqiponja.

“Dhuna nuk duhet të tolerohet, por duhet të dënohet. Dënoj incidentet që i paraprinë votimit, që çuan vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve”.

Vëzhguesit theksuan faktin se do vazhdojnë të monitorojnë procesin, i cili deri tani ka qenë i suksesshëm.

“Gjithçka do të bëhet në interes të shqiptarëve. Ju bëjmë thirrje partive politike, që gjithçka duhet bërë në interes të popullit”.

Sipas përfaqësuesve, ndryshimet e fundit në kuadrin ligjor ofruan garanci dhe administrata e re zgjedhore i përballoi mirë detyrat e rekomanduara.

“Marrëveshja politike e vitit të kaluar nxiti reforma të rëndësishme dhe coi në futjen në përdorim të teknologjisë elektronike, e cila shërbeu për rritjen e besimit te procesi zgjedhor”.

Kryetarja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR në Tiranë, Ursula Gacek, tha se këto zgjedhje treguan se besimi te procesi zgjedhor po vazhdon të rivendoset.

Gacek theksoi faktin se vlerësimi përfundimtar do të jetë i bazuar në prova, të paanshme dhe i detajuar.

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve për zgedhjet parlamentare shqiptare përbëhej nga 125 vëzhgues nga 32 vende.

Nga të cilët përfshiheshin 42 ekspertë të ODIHR-it dhe vëzhgues afatgjatë, 60 parlamentarë dhe përfaqësues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së (OSCE PA), dhe 23 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE).

Përfaqësuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri deri më 7 maj 2021.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore