Kosova

Opozita për Asociacionin – çfarë deklaruan Krasniqi, Abidixhiku e Haradinaj për draft-statutin “modern evropian”


Ilustrim: Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj e Lumir Abdixhiku

“Super-zajednicë”, “Një autonomi e zgjeruar për komunitetin serb”, “Serbia ka arsye për t’u ndier fitimtare”, këto janë disa nga konkluzat e krerëve të partive opozitare në Kosovë ndaj draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, të cilin Qeveria e Kosovës, e pranoi në parim javë më parë.

Memli Krasniqi, Lutfi Haziri në vend të Lumir Abdixhikut e Ramush Haradinaj, më 7 nëntor të këtij viti takuan të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i tha po draft-statutit “modern evropian” për Asociacionin, i përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar.

Të tre ishin në të njëjtin takim, por dhanë deklarata të ndryshme për atë se çfarë ndodhi aty brenda. Dy thanë se nuk e kanë parë, teksa njëri tha se ka parë në plotni draft-statutin e këtij mekanizmi.

Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës ndonëse deklaruan se nuk e kanë parë draft-statutin zyrtar të Asociacionit, bënë të ditur se nga kanalet e ndryshme diplomatike dhe nga draftet e publikuara në media kanë arritur të krijojnë një përshtypje mbi atë se çfarë përmban ky mekanizëm.

Së fundmi i cili komentoi përmbajtjen e këtij mekanizmi, ishte Lumir Abdixhiku. Ai tha se është në dijeni të draft-statutit, në të cilën, sipas leximit të tij, parashihet një autonomi e zgjeruar për komunitetin serb.

Draft-statuti i mekanizmit një fjalë, sipas Abdixhikut, është një trup që më pastaj mund të shndërrohet në diçka edhe më autonome deri në përmasën e një relacioni federativ.

Si tejet befasuese, Abdixhiku në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini, e ka cilësoi faktin se si ky dokument është pranuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Është befasues sepse Kosova ka pasur një moment historik që pas sulmit terrorist të nis një fushatë diplomatike që do të përmirësonte pozicionin e vetë dhe besoj që ka pasur një propozim të nisur nga presidentja që Kosova do të duhej të niste diskutim të drejtpërdrejtë me SHBA-të për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili më pastaj do të prezantohej prej Kosovës”.

Pas sulmit terrorist, ka vlerësuar Abdixhiku, Kosova ka pasur një moment historik i cili nuk është shfrytëzuar aspak.

“Përkundrazi pranuam me të parën një autonomi të zgjeruar, pa i marrë parasysh fare as komentet më të vogla të spektrit të shoqërisë”.

Abdixhiku është shprehur i frikësuar edhe për periudhën e ardhshme në raport se si ky mekanizëm do të evoluojë.

“E para Marrëveshja e Ohrit nuk është përfundimtare, është bazike dhe parasheh vazhdimin e dialogut. Dhe elementi i dytë është fakti që aty parashihet një periudhë e mbikëqyrjes së implementimit dhe funksionimit të Asociacionit”.

“Nuk do të habiteshim që pas periudhës dy ose pesë vjeçare të parë të mbikëqyrjes, të kemi një kërkesë nga Bashkimi Evropian që ky trup nuk mund të funksionoj jashtë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës do të përfundojmë në: ‘Kushtetuta juaj nuk është as Bibël e as Kuran’”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ndër të tjera ka theksuar se Kosova po përballet me një autonomi i cili nuk mund të ndalet më, meqë sipas tij kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë zotim për ta jetësuar Asociacionit, para tri fuqive evropianë.

“Edhe fjala e dhënë në relacione ndërkombëtare është po aq e rëndësishme sa nënshkrimi. Ndërsa ne po e diskutojmë pse Vuçiç-i s’po e nënshkruan Asociacionin, ky është gabim politik e logjik”.

Kurti, sipas Abdixhikut, po i kërkon Serbisë të nënshkruaj draft-statutin e Asociacionit të Republikës së Kosovës.

“Statuset, ligjet i nënshkruan presidentja e Kosovës. Statuset, ligjet nuk ka çka i nënshkruan presidenti i Serbisë. Statuti i Asociacionit është obligim i Kosovës, nënshkrimi i presidentit të Serbisë është autorizim mbi rregullativën kushtetuese të Kosovës”.

Kësisoj, Abdixhiku, ka vlerësuar se kryeministri Kurti më shumë po flet për simbolikë, sesa për thelbin e Asocaicionit, kur po deklaron se draft-statuti i Asociacionit duhet të nënshkruhet nga Serbia.

Vlerësime për draft-statutin “modern evropian” të Asociacionit ka pasur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për Kanal 10, më 14 nëntor.

Krasniqi e cilësoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse sipas tij i njëjti nuk është final, si një “super-zajednicë”, meqë ky mekanizëm është pranuar në këmbim të njohjes de facto e jo de jure.

I pyetur për komentet e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Krasniqi, potencoi se garanci për këtë nuk mund të jep askush në këtë fazë.

“Për këtë tekst të draft-statutit të Asociacionit nuk mund të themi se mund të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese. Ai tekst i pa finalizuar nuk jam i sigurt që e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kryeopozitari, i cili pranoi se e ka lexuar draft-statutin e përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, por jo në takimin që ka pasur me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili javën e kaluar takoi krerët e partive opozitare, vlerësoi se në momentin kur në preambulë të draft-statuti ka referenca direkte të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë nuk vlen më Kushtetuta e Kosovës.

“Rezoluta 1244 nuk e njeh sovranitetin e Kosovës e njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Kot e kemi në preambulë Kushtetutën e Kosovës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Rezoluta 1244 automatikisht e zhvlerëson pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka as ingerenca për të vlerësuar Rezolutën 1244”.

I vetmi i cili deklaroi se e ka lexuar në plotni draft-statutin zyrtar të Asociacionit i prezantuar nga diplomati sllovak Lajçak, ishte ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një intervistë për Klan Kosovën, pak orë pas takimit me të deleguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, garantoi se draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, derisa shtoi se ky është një draft-statuti i hartuar nga ekspertë ndërkombëtarë e për të cilin komuniteti serb në Kosovë, por edhe Serbia, duhet të ndihen fitimtare për shkak të përmbajtjes “bukur të pasur” me të drejta.

“Në dokument janë dhënë shumë mundësi për serbët e Kosovës. Dokumenti është i shkruar mjaft mirë. Serbët e Kosovës dhe Serbia kanë mjaft arsye për t’u ndier fitimtarë… Janë identifikuar me shumë kujdes interesat e serbëve të Kosovës”, kishte thënë kreu i AAK-së.

Po, Kurti?

Në një intervistë për Televizioni A, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti doli në mbrojtje të draft-statutit “modern evropian” për Asociacionin.

Draf-statuti i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, kishte thënë Kurti, është pakrahasimisht më i avancuar se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ai i vitit 2015, nga të cilat derivonte ky mekanizëm.

Diferenca, vlerësoi Kurti, në mes të këtij draft-statuti dhe Asociacionit i cili parashihej në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është te çështja e përmbajtjes.

“Kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh ky gjë, pra së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për Televizionin A.

Pavarësisht kësaj, Kurti, potencoi se i ka dërguar vërejtjet, komentet dhe kritikat e tij për këtë draft, meqenëse, sipas tij, ky nuk është një draft i cili do të shkruhej prej tij saktësisht asisoj.

“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, është i pakrahasueshëm me të tjerët”.

Nenet kryesore të draft-statutit modern evropian të Asociacionit

Të shtunën, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Që nga lansimi i këtij draft-statuti deri në publikimin e këtij artikulli, përmbajtja e tij nuk u kontestua nga autoritetet kosovare, siç rëndom ndodhë. Madje këshilltari për media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, Klisman Kadiu, nuk e ka mohuar e as pohuar faktin se draft-statuti i publikuar nga ana e ish-inspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, është ai të cilën Kosova e ka pranuar javë më parë.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Draft-Statuti im është i avancuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore