Lajme

Draft-Statuti im është i avancuar


Ilustrim

Ishte kundërshtuesi më i madh i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm 3 vjet në postin e kryeministrit mjaftuan që t’i dalë në opozitë vetës së tij të dikurshëm duke u bërë kryeministri i parë i cili pranon një draft-statut për këtë mekanizëm.

Është fjala për Albin Kurtin, i cili ndonëse e di mirë që as në vitin 2013 e as në vitin 2015 nuk ka pasur statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në tentim e sipër për të justifikuar këtë mekanizëm që tashmë e ka pranuar, ka krahasuar draft-statutin e përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, me ata “paraprak”, ani pse të njëjtit nuk ekzistojnë.

Çfarë tha?

Në një intervistë për Televizioni A – i cili është realizuar pak ditë më parë kur ai ishte në vizitë në Parisë në margjinat e Forumit të Paqes, e i publikuar të martën – i pari i Qeverisë së Kosovës i ka dalë në mbrojtje të draft-statutit “modern evropian” për Asociacionin.

Draf-statuti i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, ka thënë Kurti, është pakrahasimisht më i avancuar se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ai i vitit 2015, nga të cilat derivonte ky mekanizëm.

Diferenca, vlerësoi Kurti, në mes të këtij draft-statuti dhe Asociacionit i cili parashihej në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është te çështja e përmbajtjes.

“Kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh ky gjë, pra së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës”, tha Kurti në një intervistë për Televizionin A.

Pavarësisht kësaj, Kurti, potencoi se i ka dërguar vërejtjet, komentet dhe kritikat e tij për këtë draft, meqenëse, sipas tij, ky nuk është një draft i cili do të shkruhej prej tij saktësisht asisoj.

“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, është i pakrahasueshëm me të tjerët”.

Vlerësime për draft-statutin “modern evropian” të Asociacionit ka pasur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për Kanal 10, pikërisht në ditën kur u publikua intervista e kryeministrit Kurti.

Krasniqi e cilësoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse sipas tij i njëjti nuk është final, si një “super-zajednicë”, meqë ky mekanizëm është pranuar në këmbim të njohjes de facto e jo de jure.

I pyetur për komentet e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, i cili deklaroi se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Krasniqi, potencoi se garanci për këtë nuk mund të jep askush në këtë fazë.

“Për këtë tekst të draft-statutit të Asociacionit nuk mund të themi se mund të kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese. Ai tekst i pa finalizuar nuk jam i sigurt që e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kryeopozitari, i cili pranoi se e ka lexuar draft-statutin e përpiluar nga komuniteti ndërkombëtar, por jo në takimin që ka pasur me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili javën e kaluar takoi krerët e partive opozitare, vlerësoi se në momentin kur në preambulë të draft-statuti ka referenca direkte të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë nuk vlen më Kushtetuta e Kosovës.

“Rezoluta 1244 nuk e njeh sovranitetin e Kosovës e njeh sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën. Kot e kemi në preambulë Kushtetutën e Kosovës, Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Rezoluta 1244 automatikisht e zhvlerëson pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese nuk ka as ingerenca për të vlerësuar Rezolutën 1244”.

Çfarë thoshte Kurti si opozitar për Asociacionin?

Në vitin 2016, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, Kurti shpjegonte se sa e dëmshme është Asociacioni, madje duke e quajtur këtë mekanizëm si “Zajednicë”.

“Ta ndalim njëherë e përgjithmonë Zajednicën, përkatësisht mos ta lejojmë ringjalljen e saj”, thoshte ai 7 vjet më parë.

Në shpjegimin e Kurtit, Kosova assesi nuk duhet ta implementojë Marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin për shkak se i njëjti do hapte derën e Rusisë në Kosovë.

“Presidenti i Zajedcnicës, largqoftë, nëse instalohet ajo do ta ketë numrin personal të telefonit të Putinit, Medvedevid dhe Rogozinit, siç ka ndodhur me Milorad Dodik-un në Bosnje, pra Dodik-u sot është shumë më i afërt me Putinin sesa me Vuçiç-in”, argumentonte Kurti.

Kësisoj Kurti, në petkun e opozitarit, apelonte Qeverinë e asaj kohe të mos e lejonte forcimin e Serbisë në Kosovë përmes këtij mekanizimi.

“Dhe ne nuk mund të lejojmë tash që jo vetëm ta forcojmë Serbinë, por edhe ta sjellim Rusinë te Ura e Ibrit”.

Nenet kryesore të draft-statutit modern evropian të Asociacionit

Të shtunën, për herë të parë, u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.

Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor.

Që nga lansimi i këtij draft-statuti deri në publikimin e këtij artikulli, përmbajtja e tij nuk u kontestua nga autoritetet kosovare, siç rëndom ndodhë. Madje këshilltari për media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, Klisman Kadiu, nuk e ka mohuar e as pohuar faktin se draft-statuti i publikuar nga ana e ish-inspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, është ai të cilën Kosova e ka pranuar javë më parë.

Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.

Te neni 12, te pjesa e bashkëpunimit, thuhet se Asociacioni  do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, “duke përfshirë agjencitë qeveritare në Serbi”.

Një bashkëpunim i tillë, theksohet aty, mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale.

Ndërsa, parashihet që donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në pajtim me ligjin në fuqi”, thuhet aty.

Një nen tjetër që parasheh ky draft-statut i Asociacionit është ai i 14, ku bëhet fjalë për menaxhimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore të cilat, sipas këtij drafti, themelohen dhe financohen nga Serbia.

Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar nga Serbia, sipas hapave të mëposhtëm:

“Në frymën e nenit 13 të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ‘Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës’ dhe ‘Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës’ do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi”, thuhet në njërën nga pikat.

Sipas këtij drafti, në Kosovë, këta bartës do të kërkojnë të kenë statusin e arsimit privat të huaj dhe ofruesve të huaj privat të kujdesit shëndetësor. Asociacioni do të kërkojë t’i regjistrojë këta ofrues dhe të marrë licenca operimi në përputhje me ligjin në fuqi.

“Çështjet që kanë të bëjnë me planprogramin arsimor do të rregullohen në pajtim me ligjin në fuqi. Me licencimin, Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë”.

Pos këtyre, aty theksohet se Asociacioni do të angazhohet me Qeverinë e Kosovës me qëllim që këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, parasheh ky draft, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkë-financuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

Kurse te neni 42 bëhet fjalë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore.

Te pika e parë e këtij neni, thuhet se çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore në lidhje me zbatimin ose interpretimin e këtij Statuti, i cili nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, me kërkesë të secilës palë në mosmarrëveshje, do t’i referohet për zgjidhje një komisioni arbitrariteti.

Ky komision, pohohet aty, do të përbëhet nga një arbitër që do të emërohet nga secila palë në mosmarrëveshje dhe një arbitër tjetër që do të emërohet si kryetar i komisionit me konsensus të palëve në mosmarrëveshje.

Mirëpo, nëse brenda tre muajve, secila palë në mosmarrëveshje nuk arrin të emërojë arbitrin përkatës ose palët në mosmarrëveshje nuk arrijnë të bien dakord për emërimin e kryetarit, ky arbitër ose kryetar, me kërkesën e secilës palë në mosmarrëveshje, “do të jetë emëruar nga Bashkimi Evropian”.

Madje, në draft theksohet se komisioni i do të krijojë rregullat e veta të punës dhe do të përpiqet të vendosë mosmarrëveshjet e tij brenda gjashtë muajve.

Sipas draftit të publikuar të shtunën, komisioni vendos për mosmarrëveshjen me dy të tretat e shumicës së arbitrave dhe se ky vendim do të pranohet nga palët në mosmarrëveshje si përfundimtar dhe i detyrueshëm, duke anashkaluar kështu Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa në nenin 43 parashihet që duke vepruar në emër të Asociacionit katër kryetarët e komunave të Kosovës Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për emërim si Komandant Rajonal i Policisë së Kosovës, siç specifikohet në nenin 9 të Marrëveshjes së Parë, çka nënkupton se komandanti i policisë në këtë rajon duhet të jetë serb, pra përzgjidhet etnikisht.

Emri zyrtar i këtij mekanizmi do të jetë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa selia e tij do të jetë në Mitrovicën e Veriut.

Asociacioni, gjithmonë sipas këtij drafti, do të krijojë simbolet e veta zyrtare: flamurin dhe një stemë, ndërsa thuhet se vetëm simbolet zyrtare të Asociacionit, së bashku me simbolet shtetërore të Kosovës do të përdoren nga Asociacioni, në përputhje me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore