Kosova

Edhe AAK refuzon takimin me Kurtin


Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti, për një takim pune.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ku edhe publikoi letrën që ia ka dërguar Kurtit, në të cilën tregohen arsyet e këtij vendimi.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare. Besnik Tahiri, i cili e udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim”, ka thënë Haradinaj në letrën e tij.

Ish-kryeministri ka konsideruar se “kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, derisa është shprehur i hapur për tema të tjera në të ardhmen.

“Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”, thekson Haradinaj.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Letra e Ramush Haradinaj derguar Albin Kurtit

Ndërsa, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një letre të dërguar Kurtit, të cilën e ka siguruar Albanian Post, të shtunën ka sqaruar arsyet e refuzimit të ftesës, ku ndër të tjera është potencuar se Kurti “ka shuar frymën e bashkëpunimit”.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.

Sa i përket çështjes së diskutimit – agjendës legjislative të Kuvendit të Kosovës – Abdixhiku ka konsideruar se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit.

“Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”.

Letra e Lumir Abdixhikut drejtuar Albin Kurtit

Ndryshe nga LDK-ja dhe AAK-ja, Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e kryeministrit Kurti për një takim.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, i ka thënë Albanian Post se pjesëmarrja e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit në këtë takim do të jetë në funksion të diskutimit të mundësive për caktimin e datës për zgjedhje të reja.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë”, ka thënë ai për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore