Opinione / Kolumnistët

Libani jugor mbetet zonë e nxehtë, mes tensioneve me Izraelin


Gerta Zaimi Kryeredaktore e Albanian Post

Raketat mes ushtrisë izraelite dhe grupit pro-iranian të Hezbollahut në Liban shkëmbehen në vazhdimësi nga fillimi I luftës më 8 tetor. Dhjetëra mijëra izraelitë janë evakuuar nga qytetet kufitare veriore.

Së fundmi të martën e 26 dhjetorit, raketa që ka goditur qytezën e Bint Jbeil në Liban ka vrarë 3 persona, një militant të Hezbollahut dhe dy familjarë të tij.

Që nga fillimi i luftimeve ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit, partia shiite ka humbur 129 luftëtarë, sipas libanezes L’Orient Le Jour. Këtij numri i shtohen 32 civilë.

Hezbollah njofton se në përgjigje të “krimeve të përsëritura të armikut (izraelit) që synonin shtëpitë e civilëve në Bint Jbeil”, luftëtarët e partisë shënjestruan qytetin Kiryat Shmona, në Izraelin verior, ditën e mërkurë me 30 raketa Katyusha. Raketat Katyusha përbëjnë shumicën e arsenalit të raketave të Hezbollahut.

Por një deklaratë e kryeministrit libanez Najib Mikati, të premten e 22 dhjetorit, do të ngjallte kuriozitet.

Zgjidhja për armiqësitë aktuale ndërkufitare “është zbatimi i rezolutave ndërkombëtare”, duke përfshirë Rezolutën 1701, tha kryeministri Mikati.

“Libani është i gatshëm të zbatojë rezolutën e OKB-së që do të ndihmonte t’i jepte fund sulmeve ndërkufitare të Hezbollahut ndaj Izraelit nëse Izraeli gjithashtu pajtohet dhe tërhiqet nga territori i diskutueshëm”, vazhdoi Najib Mikati.

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e 11 gushtit të 2006 sanksiononte ndërprerjen e armiqësive bazuar, në veçanti, në përfundimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve të Hezbollahut dhe të gjitha operacionet ushtarake ofensive izraelite”; tërheqjen e Hezbollahut nga jugu i lumit Litani dhe në të njëjtën kohë të gjitha trupave ushtarake izraelite (IDF) nga zona; vendosjen e ushtrisë libaneze dhe Forcës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara për Libanin (Unifil) në rajonin kufitar; rëndësinë e respektimit të plotë të ‘Vijës Blu’ (kufiri midis Libanit dhe Izraelit i përcaktuar në 1949 dhe i njohur ndërkombëtarisht).

Por në fakt që nga fillimi i armëpushimit, IDF vazhdoi të pushtonte pjesë të mëdha të Zonës së Operacioneve të UNIFIL, ndërsa Hezbollahu dhe elementë të armatosur mbetën në Libanin jugor.

Deklarata e Mikatit pa dyshim është kurioze, sidomos nëse kemi parasysh që Hezbollah është një nga partitë mbështetëse të tij. Ndoshta mund të lexohen thjesht si një tentativë e diplomacisë amerikane, nëpërmjet të dërguarit amerikan për Sigurinë dhe Energjinë, Amos Hochstein, në rolin e ndërmjetësit mes Hezbollahut dhe Izraelit për të ruajtur qetësinë në Jug të Libanit. Qetësi që pa dyshim është në rrezik në vazhdimësi të luftës në Gaza.

Por kjo deklaratë e Mikatit duke pohuar angazhimin e tij për Rezolutën 1701 me kushtin që izraelitët t’i japin fund shkeljeve të tyre mund të lexohet edhe si një kërkesë për të rimarrë kontrollin e sovranitetit jo vetëm të zonave ende nën kontrollin e IDF, por edhe për të ndaluar bombardimin e Sirisë nga hapësira ajrore libaneze dhe arritjen e demarkimit të kufijve ndërkombëtarë të Libanit.

Në lidhje me ketë nuk ka gjasa që qeveria izraelite të pranojë respektimin e kësaj Rezolute, gjë të cilën deri më sot nuk e ka përmbushur tërësisht, pikërisht sepse e sheh si një nga instrumentet e Hezbollahut për të forcuar ndikimin e tij në Liban, duke vazhduar sulmet kundër forcave të armatosura izraelite.

Ndërkohë që sipas vetë gjeneralëve të shtetit hebre lufta me Gazën do të vazhdojë akoma disa muaj, përplasjet në Libanin jugor do të vazhdojnë, duke rrezikuar të shndërrohen në një luftë të hapur rajonale.

Të gjitha parashikimet e deritanishme e shihnin të kufizuar mundësinë e zgjerimit të luftës në Liban, edhe për shkak të mungesës së vullnetit Iran/Hezbollah për këtë. Por intensifikimi i operacioneve ushtarake të IDF, fillon të rrisë shqetësimin. Diplomacia amerikane nuk po arrin ta parandalojë etjen për luftë të mëtejshme të qeverisë së Netanyahut.

Izraeli është duke zgjeruar gjithnjë e më shumë zonën të cilën po godet brenda kufirit libanez, si në thellësi vertikale edhe në shtrirje horizontale. Objektivat e IDF nuk janë vetëm pikat e vëzhgimit apo infrastruktura e Hezbollahut, por edhe vendet ku sipas tyre grupi ka rezervat e tij të armatimeve. Së fundmi duket të jenë të interesuar edhe në lokalizimin dhe goditjen e tuneleve të Hezbollahut në Libanin e Jugut.

Të gjitha shenja që rrisin mundësinë e përfshirjes së Libanit në luftë. Izraeli mund të mendojë që rrezikon pak në këtë fazë, qytetet në veri të vendit janë zbrazur nga banorët, mbështetja amerikane mbetet padyshim e fortë në ruajtjen e sigurisë së Izraelit, Netanyahu ka nevojë të tregojë forcën e tij, duke qenë që lufta tokësorë në Gaza ka avancuar, forcat ajrore mund të jenë më të lira për të vepruar në një territor tjetër.

Irani dhe Hezbollah janë pa dyshim duke vëzhguar, por Libani nuk është në gjendje të përballojë një luftë të ngjashme me 2006, për shumë arsye: ekonomike, politike dhe psikologjike.

Nëse do të ndodhë apo jo kjo nuk dihet, por pa dyshim Izraeli në atë rast do të kishte hapësirë më të madhe për të negociuar, Libani do të pësonte humbje të mëdha, por akoma më e madhe do të ishte humbja e diplomacisë amerikane.


Lajmet kryesore