Lajme

OBSH: Politika të pabarabarta ndaj vaksinës anti-Covid


Bota po përballet me një dështim katastrofik për shkak të politikave të pabarabarta të vaksinave anti-Covid. Këtë e ka deklaruar kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom.

Ai i bëri thirrje vendeve dhe prodhuesve që t’i ndajnë në mënyrë të drejtë dozat e vaksinave Covid-19 në të gjithë globin. Tedros shprehu shqetësimin se shumë njerëz të rinj dhe të shëndetshëm në kombet më të pasura po marrin vaksinat para njerëzve të pambrojtur në shtetet më të varfra.

Shefi i OBSH-së shtoi se mbi 39 milionë doza vaksinash janë mbledhur për 49-të shtetet më të pasura. Ndërsa një komb i varfër ka vetëm 25-të doza.

“Unë duhet të jem i prerë, bota është në prag të një dështimi katastrofik moral. Çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetë. Këto veprime do të zgjasin pandeminë, kufizimet e nevojshme për ta përmbajtur atë dhe pasoja ekonomike”, tha ai.

Kreu i OBSH-së bëri thirrje për një angazhim të plotë ndaj skemës globale Covax, të sigurimit të vaksinave, e cila pritet të fillojë të përhapet muajin tjetër.

Sfida ime për të gjitha vendet anëtare është sigurmi i vaksinave në Ditën Botërore të Shëndetit, më 7 prill. Vaksinat do të administrohen si një simbol i shpresës për tejkalimin e pandemisë dhe pabarazive”, nënvizoi Tedros.

Më shumë se 180 vende kanë nënshkruar marrëveshje me Covax, mes tyre edhe Shqipëria. Ajo mbështetet nga OBSH-ja dhe grupe ndërkombëtare për avokimin e vaksinave.

Qëllimi i Covax është të bashkojë vendet në një bllok, në mënyrë që ata të kenë më shumë fuqi për të negociuar me kompanitë e barnave. 92 vende me të ardhura të ulëta ose të mesme do t’i paguajnë vaksinat e tyre nga një fond i sponsorizuar nga donatorët./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore