Lajme

O’Brien takon Maqedoncin, i jep mbështetje FSK-së


Ejup Maqedonci dhe James O’Brien

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, është takuar të mërkurën me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të cilit i ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), vazhdon të ketë mbështetje nga ShBA-të.

Përmes një postimi në platformën X, top-diplomati amerikan e ka cilësuar FSK-në si profesionale dhe të ndërveprueshme nga NATO-ja.

“Ne e mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo kalon në një forcë mbrojtëse territoriale multi-etnike, profesionale, të ndërveprueshme nga NATO-ja, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile. Sot u takuam me ministrin kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe riafirmuam partneritetin tonë me Kosovën”, ka shkruar ai O’Brien.

 

Për këtë takim, i cili është zhvilluar në kuadër të vizitës së Maqedoncit në SHBA, ka shkuar edhe vetë ministri, ku ka thënë se kanë diskutuar, ndër të tjera, për çështjet e sigurisë së rajonit, dhe jo vetëm.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se në këtë takim me O’Brien, të cilën e përshkroi si të “ngrohtë” e “shumë miqësor”, ka ritheksuar që qeveria ku ai bënë pjesë, “institucionet dhe i gjithë populli i Kosovës është i vendosur palëkundshëm në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike’.

“Ndihmës Sekretarin O’ Brien e falënderova për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, e në veçanti për mbështetjen në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, shkroi ai.

Foto: Ejup Maqedonci

Ministri Maqedonci ka bërë me dije se kanë biseduar për ambientin global të sigurisë dhe impaktin e tij në regjionin e Ballkanit Perëndimor, “si dhe për nevojën e fuqizimit të përpjekjeve të përbashkëta për t’u përballur me rreziqet dhe kërcënimet”.

Nga ana tjetër, O’Brien, siç citohet nga Maqedonci, ka ritheksuar mbështetjen e shtetit që ai përfaqëson për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut, Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO.

“U dakorduam që të thellojmë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë bashkë ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, me qëllim të qartë që këto kapacitete të jenë në funksion të rritjes së sigurisë në vend dhe regjion si dhe të jenë të përgatitura që bashkë me parterët të mbështesin paqen kudo në botë”, përfundoi ministri.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, që nga e marta është duke qëndruar për vizitë zyratre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atje, siç është bërë me dije nga kabineti i tij, ai do të ketë takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe Departamentin e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore