Lajme

NPB mohon se ka bastisje në zyrat e ndërmarrjes: Mund të ketë tek ish menaxhmenti


Arbnor Neziri nga kabineti i kryeshefit të NPB-së.

Pas raportimeve se Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në Ndërmarrjet Publike Banesore, Arbnor Neziri nga kabineti i kryeshefit të NPB-së ka deklaruar se jozyrtarisht ka mësuar se bëhet fjalë për bastisje të ish-menaxhmetit të ndërmarrjes.

“Mund të ju konfirmojmë që bastisjet te zyrat e NPB-së nuk ka. Mund të ketë edhe siç jam informuar në media tek ish-menaxhmenti i ndërmarrjes”, ka deklaruar Neziri.

I pyetur nga gazetarët për numrin e zyrtarëve tek të cilët janë kryer bastisjet ai është shprehur se nuk kanë informacione të sakta për numrin e saktë.

“Nuk kemi informacione të sakta për numrin e zyrtarëve dhe as nuk kemi informacion zyrtar nga policia”.

Ai i pyetur për një objekt në lagjen Lakrishtë i cili është përmendur që nga to kanë nisur bastisjet ai ka thënë se nuk ka informacione.

“Kjo çështje është në proces gjyqësor, sa i përket kësaj çështje ne nuk mund të deklarohemi i mbetet hetuesisë”.

Ndërmarrja Publike Banesore

Bastisje në disa prona lidhur me Ndërmarrjen Publike Banesore janë duke u kryer në disa prona, të mërkurën e 17 majit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, në disa lokacione/rajone të ndryshme. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, ka thënë Krasniqi për Albanian Post

Ky aksion është thënë se është zhvilluar pas një hetimi prej gati dy vjetësh për dyshime për keqpërdorime lidhur me një objekt afaristo-banesor në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.

Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Edhe, më 20 korrik, Policia e Kosovës kishte realizuar një urdhër-kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhej në një komunikatë të asaj kohe për media të NPB-së, bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.

NPB-ja ka pretenduar se dokumentet që Policia ka marrë, i janë dorëzuar organeve rreth 5 muaj më herët.

Nga Partia Socialdemokrate ishte thënë se bastisje që ishte bërë në Ndërmarrjen Publike Banesore, Policia i kishte ndalur kamerat e sigurisë për afro 1 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore