Lajme

Njohja e Kosovës nga Serbia nuk duhet të vihet fare në dyshim, thotë Schallenberg


Aleksandër Schallenberg dhe Donika Gërvalla, në një konferencë për media

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksandër Schallenberg, pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, në një konferencë për media ka theksuar se me këtë të fundit kanë diskutuar për një mori çështjesh përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi, i cili sipas tij duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Biseduam edhe për procesin e dialogut i cili është shumë i rëndësishëm, po diskutohen elemente të ndryshme si çështja e energjisë, por në fund është e rëndësishme që në mes të dy vendeve të kemi normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe sidomos njohjen që nuk vihet në dyshim fare”, ka thënë Schallenberg.

Kryediplomati austriak ka qenë i prerë edhe sa i përket liberalizimit të vizave, pasi sipas tij Kosova është i vetmi vend i cili nuk e po e gëzon lirinë e lëvizjes për një kohë të gjatë.

Në këtë kontekst Schallenberg, ka premtuar që në samitin e radhës do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas tij Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Austrinë.

“Ne duhet të kemi parasysh që Moska e ka mundësinë që të bëjë destabilizim të rajonit vetëm me një gjuajte. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në union”, ka shtua ai.

Aleksandër Schallenberg dhe Donika Gërvalla, në një konferencë për media

Serbia bllokon procesin e dialogut 

Në anën tjetër me homologun austriak, Gërvalla tregoi se kanë biseduar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-Austri, Procesin e Berlinit si dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, dialog të cilin Gërvalla e quajti dialog për njohje të ndërsjellë.

“Me Austrinë së bashku jemi në Procesin e Berlinit, e cila u theksua edhe gjatë vizitës në javën e kaluar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili është kthyer në një proces të domosdoshëm për afrimin me Bashkimin Evropian dhe në të cilin Austria luan një rol të veçantë”, tha Gërvalla.

“Me homologun Aleksandër Schalenberg folëm edhe për dialogun që Republika e Kosovës po zhvillon me Serbinë rreth njohjes së ndërsjellë dhe për propozimet tona shumë konkrete. I nënvizova gatishmërinë dhe seriozitetin tonë në këtë proces i cili do të mund të përfundonte shumë shpejt nëse Serbia do të hiqte dorë nga pozicioni i saj për bllokimin e procesit”, u shpreh Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare tregoi mes tjerash edhe për nevojën e thellimit të marrëdhënieve bilaterale.

“Biseduam edhe rreth thellimit të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona, në fusha të ndryshme si arsimi, kultura, shkenca dhe fusha të shumta të tjera. Gatishmëria për bashkëpunim është e madhe. Numri i madh qytetarëve tanë në Austri e bën edhe më të lehtë por edhe më të domosdoshme këtë bashkëpunim”, tha mes tjerash ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore