Lajme

Një vit pas shpërthimit në Bejrut, kërkohet drejtësia


Një vit më pas shpërthimit në portin e Bejrutit që solli më shumë se 200 viktima, nuk ka ende asnjë përgjegjës. Me mijëra libanezë të zemëruar nga kjo situatë, protestuan pranë portit, duke mbajtur fotografi të viktimave dhe valëvitën flamujtë libanezë.

Shpërthimi plagosi me mijëra dhe u ndje deri në Qipro, më shumë se 240 kilometra larg Bejrutit.

Ndërsa përgatiteshin për të filluar një nderim përkujtimor në port, drejt protestuesve u hodh ujë dhe gaz lotsjellës.

Këta të fundit u kundëpërgjigjën duke qëlluar me gurë ndaj forcave të sigurisë pranë parlamentit.

Një flamur i madh, në një ndërtesë me pamje nga porti, kishte mbishkrimin, “Pengët e një Shteti Vrasës”.

Helikopterët e ushtrisë fluturuan duke lëshuar tym të kuq dhe jeshil – ngjyrat kombëtare – ndërsa po lexoheshin vargje e Kuranit dhe emrat e viktimave.

“Ne nuk do t’i harrojmë dhe nuk do t’i falim kurrë. Dhe nëse ata nuk mund të japin llogari, ne do ta bëjmë me duart tona”, tha Hiyam al-Bikai, e veshur me të zeza teksa mbante një fotografi të djalit të saj, Ahmad , i cili u vra kur muratura ra në makinën e tij.

Hetimet

Hetimi ka ngecur, pasi politikanët e lartë dhe ish-zyrtarët libanezë nuk pranojnë të heqin dorë nga imuniteti. Të gjithë ata që janë kërkuar për t’u marrë në pyetje nga hetuesia libaneze kanë mohuar çdo krim.

Kimikatet mbërritën në një anije mallrash me qira ruse që bëri një ndalesë të paplanifikuar në Bejrut në vitin 2013. Një raport i FBI-së i parë nga Reuters javën e kaluar vlerësoi se rreth 552 tonë nitrat amoni shpërthyen, shumë më pak se 2 mijë e 754 tonë të mbërritur në port.

“Është e turpshme që zyrtarët i shmangen hetimit nën hijen e imunitetit”, tha al-Rai, kleriku më i lartë i krishterë i Libanit, gjatë një meshë në port.

Sipas Al-Rai-t, të gjitha imunitetet bien përballë gjakut të viktimave. “Nuk ka imunitet kundër drejtësisë”, shtoi ai.

“Libanezët duan të dinë se kush e solli eksplozivin, kush lejoi shkarkimin dhe ruajtjen e tyre, kush la mënjanë një sasi dhe ku u dërgua ajo” deklaroi Al-Rai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se udhëheqësit libanezë i detyrohen popullit, “të vërtetën”.

Dëmi është ende i dukshëm në pjesën më të madhe të kryeqytetit, veçanërisht në zonat kryesisht të krishtera të Bejrutit lindor që u prek më së shumti. Porti i ngjan një vendi bombash, kulla e saj e silosit (vendi ku depozitohet gruri) ende është e pa riparuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore