Lajme

Një muaj paraburgim për zyrtarin e MKRS-së, Leotrim Gashi


Leotrim Gashi, zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj zyrtarit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Leotrim Gashi.

Ai është duke u akuzuar për veprën penale, “marrje ryshfeti”.

Të enjten, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, është e bazuar dhe e argumentuar për këtë fazë të procedurës.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet nga Gjykata Themelore.

Leotrim Gashi, i cili ka një karrierë muzikore në zhanrin popullor dhe folklorik, u arrestua më 11 janar të këtij viti nën dyshimet se ka kërkuar dhe pranuar ryshfet prej mijëra eurosh nga dy biznese aplikuese dhe përfituese të subvencioneve të ndara nga ministria përkatëse.

Më gjashtë janar, po ashtu Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte njoftuar se në aksionin e të enjtes në rastin “Brezovica” janë arrestuar shtatë persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, më saktësisht për marrje ryshfeti.

Aksioni është zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore