Lajme

7 të arrestuar në operacionin “Brezovica” – dy prej tyre zyrtarë nga Ministria e Mjedisit


Aksioni “Brezovica” në Ministrinë e Mjedisit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në aksionin e të enjtes në rastin “Brezovica” janë arrestuar shtatë persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, më saktësisht për marrje ryshfeti.

Ndërsa pesë të arrestuar janë qytetarë, të dyshuar për dhënie ryshfeti.

Aksioni është zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë.

Ka pasur bastisje në objektin e Ministrisë së Mjedisit, ndërsa raportohet se Policia ka marrë në këtë objekt edhe lejet ujore për hidrocentralin “Brezovica”.

Me gjashtë janar, policia e Kosovës ka vazhduar operacionin “Brezovica”, i cili lidhet me ndërtimet në Brezovicë.

Në kuadër të këtij aksioni është bastisur edhe Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

Lajmin për Albanian Post e konfirmoi kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

“Po është duke vazhduar aksioni, bastisje ka në 10 lokacione gjithsej. Bastisjet po bëhen në Ferizaj, Prishtinë e Shtërpcë”, tha Jashari për Albanian Post.

Policia e Kosovës gjatë aksionit tek Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për Albanian Post.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani ka thënë se ky hetim është vazhdimësi e rastit “Brezovica”.

Policia e Kosovës gjatë aksionit tek Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë.

“Informacion zyrtar Prishtinë 06 janar 2022, Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente, është duke e realizuar një operacion, i cili është vazhdimësi e hetimit të rastit ‘Brezovica’.

Ndërsa shtoi se, “ky operacion shtrihet në dy rajone, atë të Ferizajt dhe Prishtinës, ku përfshihen disa lokacione. Informacione shtesë do të jepen pas përfundimit të operacionit”, deklaroi Kelani për AP.

Më 21 dhjetor, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet.

 

Implikimet e publicistit Veton Surroi

Një prej kompanive që dyshohet se i është lëshuar leja ndërtimore përmes ryshfetit është edhe “Stella Consulting”, ku bashkëpronar është publicisti Veton Surroi.

Kjo kompani dyshohet të ketë dhënë një ryshfet të majm për t’iu lejuar ndërtimi i vilave në Brezovicë. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për 410 mijë euro para të dhëna nën duar, që më pas Stella të ndërtojë shtëpiza dhe një objekt hotelier.

Ryshfeti i ishte dhënë ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës nga Lista Serbe, Bratisllav Nikoliç. Forma e pagesës, sipas dyshimeve të prokurorisë, ishte bërë në këtë mënyrë: Nikoliç ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Surroi në këtë kompani ka 30 për qind të aksioneve. Kur para dy vjetësh ishte pyetur, shkurt kishte thënë se është thjesht “partner minor”. Partneri – siç do e quante Surroi – madhor, është një shqiptar nga Shqipëria, Gentjan Sula, i njohur për të tilla veprimtari dhe ndërtime jo ligjore.

Nuk dihet se si u bë që Surroi e Sula të jenë takuar dhe dakordsuar që të kenë një kompani të përbashkët ndërtimi. Në fakt, në Kosovë nuk është ditur se Surroi, ndryshe nga shkrimi i librave, ka afinitet për ndërtime.

Kjo ishte kuptuar vonë, në vitin e kaluar, kur në disa media ishte raportuar për dallavere me lejet ndërtimore në Brezovicë dhe dyshohej se ishte përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”.

Surroi ishte pyetur lidhur me raportimet, por kishte deklaruar shkurt se nuk ka shkelje, pasi “Stella Consulting” “ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore”. Por, ai – normalisht – nuk kishte treguar se përmes çfarë forme u morën ato leje.

Kompania e Surroit dhe Sulës i kanë dhënë ryshfet Nikoliç-it. Ai, me xhepin e mbushur, ka ushtruar ndikimin e tij në vendimmarrjen e personave zyrtarë brenda komunës për të dhënë lejet ndërtimore. Prandaj, policia, përveç Nikoliç-it, ka arrestuar edhe drejtorin e Urbanizimit në Komunën e Shtërpcës, drejtorin e Kadastrit, dy inspektorë të ndërtimit të komunës dhe gjithashtu shefin e Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës.

 

Kush është bashkëpunëtori i Surroit në ndërtime, Gentjan Sula?

Gentian Sula dhe Veton Surroi

Gentian Sula është ndërtues nga Shqipëria i njohur me kompleksin, Kodra e Diellit dhe kompleksin në Dhërmi.

Ai, në të dyja rastet e ndërtimit ka shkelur rregullat e ndërtimit, njëjtë siç ka ndodhur edhe në Brezovicë.

Sula njihet si ndërtues që fillimisht krijon lidhje me pushtetin dhe më pas operon kundërligjshëm me ndërtimet e tij.

Njëjtë si në Shqipëri, edhe në Kosovë ai dyshohet për ndërtime të kundërligjshme.

Për të arritur deri te mundësitë për ndërtim, përmes Veton Surroit, ka krijuar lidhje me pushtetarët në Komunën e Shtërpcës.

Por, shkeljet Sulës nuk kufizohen në hapësirat shqiptare.

Një rast eklatant e ka edhe në Londër të Britanisë së Madhe.

Ndërtimet e Sulës atje, zyra e arkitektit të qytetit të Londrës, i kishte rrënuar të gjitha, duke ia kthyer në pikën zero, sepse kishte shkelur rregullat dhe planimetrinë e ndërtimit.

Inspektorët e kishin detyruar Sulën të kryejë të gjitha shpenzimet, thuhet në një raport inspektimi të Zyrës së Arkitektit të Qytetit të Londrës.

Pasi kishte rrënuar vetë të gjithë pjesën e ndërtuar pa leje, shteti e kishte detyruar ta ribëjë ndërtimin sipas planit.

Sula, me mentalitetin e tij dhe në krah me pushtetin e korruptuar ka vazhduar të ndërtojë kundërligjshëm dhe tani edhe Kurora e Tiranës po shkatërrohet pikërisht nga ky ndërtues, njëjtë siç ndërtimet e tij dhe të bashkëpunëtorëve i kanë dhënë Brezovicës një pamje të betont në dëm ambientin.

Sula dhe ndërtues si ai kanë masakruar malin përreth dhe hapësirën e qendrës së skijimit, që dikur ishte një nga të paktat atraksione turistike në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore