Lajme

Një muaj paraburgim për zv.Drejtorin në Malishevë, i cili ngacmoi seksualisht një nxënëse


Gjykata Themelore në Gjakovë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, i ka caktuar një muaj paraburgim zëvendësdrejtorit të gjimnazit, “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

Në njoftim bëhet e ditur se, Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit seksual.

Sipas kërkesës, “rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë.

Protesta në Malishevë.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, Policia e Kosovës ditë më parë ka njoftuar se ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Më 22 dhjetor, pas dyshimit që zëvendësdrejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka sulmuar seksualisht një nxënëse të shkollës, nxënësit e këtij gjimnazi kanë protestuar brenda objektit të shkollës.

Ky rast po dyshohet se ka ndodhur më 16 dhjetor, por që rasti në Polici është raportuar nga babai i vajzës më 20 dhjetor.

Prokuroria Themelore e Gjakovës të martën ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore