Lajme

Protestë në Malishevë pasi zv.Drejtori ngacmoi seksualisht një nxënëse


Protesta në Malishevë.

Pas dyshimit që zëvendësdrejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka sulmuar seksualisht një nxënëse të shkollës, nxënësit e këtij gjimnazi kanë protestuar brenda objektit të shkollës.

Ky rast po dyshohet se ka ndodhur më 16 dhjetor, por që rasti në Polici është raportuar nga babai i vajzës më 20 dhjetor.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

“Në Stacionin policor Malishevë me date 20.12.2021 rreth orës 21:30 është paraqitur ankuesi dhe ka raportuar një rast te Sulmit Seksual qe kishte ndodhur ndaj vajzës së tij të mitur”, deklaroi Gjurkaj.

Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë.

Tutje, ai ka sqaruar edhe vendin se ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja.

“Ngacmimi seksual dyshohet te jete bërë nga ana e personit cili ne ketë shkolle mban pozitën e zëvendës drejtorit. Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur ne njërën prej banjove te kësaj shkolle kur viktima ishte brenda ne toilet dhe aty kishte hyrë edhe I dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”.

Ndërkaq, ka thënë se është intervistuar viktima dhe i dyshuari si dhe disa dëshmitar.

“Hetimet janë ne fazën e grumbullimit te provave te tjera dhe për zhvillime te me tejme ju njoftojmë me raport shtese. Me vendim te prokurorit i dyshuari ndalet ne mbajtje për 48 ore”.

Ndërsa, edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës të martën ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.

“Sipas kërkesës, rasti ka ndodhur më 16 dhjetor 2021, në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 20 dhjetor 2021”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore