Kosova

Një marsi, Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës


“Aty ku s’ka qasje, ka diskriminim!”, është motoja e aktivitetit te Hendikosit, për të shënuar për herë të tretë, Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës në Kosovë.

Përmes kësaj videoje vetëdijësuese dhe këtij mesazhi, “Hendikos ka udhëzuar të gjithë personat me aftësi të kufizuar se si të veprojnë në rastet kur hasin në diskriminim si rezultat i pengesave në qasje”.

Një vajzë me aftësi të kufizuara në Kosovë, Rudina Lushaku, përmes kësaj videoje i ka paraqitur problemet e saj me të cilat ballafaqohet çdo ditë.
Ajo në video-incizimin për Hendikos, ka thënë se sa herë “që më duhet të dal, më duhet të mendoj se a mundem ta kaloj rrugën ose a mundem t’i kaloj shkallët”.

Lushaku i drejtohet gjykatës për të drejtat që u takojnë atyre, siç thotë edhe ajo sepse “liria e lëvizjes nuk është privilegj por është e drejtë”.

Një tjetër person me po të njëjtin problem, Besim Galica, ndihet i diskriminuar nga shteti dhe shoqëria në përgjithësi.

Ai thotë se tani ka vendosur “t’i padis të gjithë ata që ma kanë shkelur të drejtën në gjykatë”.

Po ashtu edhe programi i UNICEF-it në Kosovë, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, e ka ndarë mesazhin e Pranvera Musajt, e cila përfitoi nga #UPSHIFT në 2015.

Ajo ka një mesazh për të ndarë me të gjithë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Karrocës.

“Rrotat e karrocës sime nuk më ndaluan kurrë për të arritur qëllimet e mia, ato më mbështetën në misionin tim”, ka thënë Musaj.

Ajo është e punësuar tani në VIVA si Mbikëqyrje e Kamerave të Sigurisë.

Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për faktin se ka shumë njerëz në botë që kanë nevojë për karrocë por që nuk kanë qasje në to, me një mars shënohet Dita Ndërkombëtare e Karrocave në gjithë botën.

Kjo ditë u fillua nga Steve Wilkinson, i cili pothuajse në pjesën më të madhe të jetës së tij e ka përdorur karrocën. Në vitin 2008, ai themeloi këtë ditë për të bërë botën siç thoshte ai “më të arritshme për përdoruesit e tjerë të karrocave dhe personave që kanë nevoja”.

Si pjesë e misionit të tij, ai krijoi një rrjet të përdoruesve të karrocave, anëtarëve të familjes dhe kujdestarëve profesionistë që janë në dispozicion për përdoruesit e karrocave, për të ndihmuar dhe plotësuar nevojat e tyre.

Wilkinson është partner me Whirlwind Wheelchair, një organizatë me një mision për të siguruar karroca të qëndrueshme, të përballueshme dhe shumë funksionale për të gjithë ata që kanë nevojë për to.

Ka shumë persona që pavarësisht se janë me aftësi të kufizuar, nuk i kanë ndalur dëshirat dhe pasionet e tyre jetësore, për të cilat edhe kanë fituar çmime, në fusha të ndryshme.

Atleti Aaron Fotheringham, ka marrë çmime fituese duke performuar rrokullisjen e parë me karrigen me rrota. Ai po ashtu është avokat dhe folës publik që udhëton nëpër botë për të frymëzuar dhe motivuar përdoruesit e karrocave kudo.

Një tjetër person i arrirë është edhe humoristi amerikan, Zach Anner, njëkohësisht edhe fituesi i “Your Own Show”, i cili nuk e ka lënë dëshirën e tij për të arritur ëndrrat dhe për të qenë një humorist e interpretues i mirë, vetëm shkaku i të qenurit person me nevojë të veçantë.

Siç thotë edhe ai, “për mua, paraliza cerebrale nuk ishte marrëveshja më e madhe, sepse e kisha gjithmonë”.

Aktori me famë botërore Christopher Reeve ishte i njohur gjerësisht për rolin e tij si Supermeni. Pas një aksidenti që pati pasur gjatë kalërimit me kalë, ai mbeti i paralizuar mirëpo u bë po aq i njohur për punën e tij të pabesueshme që ndihmonte në ndërgjegjësimin e aftësisë së kufizuar.

Ai përmes Fondacionit Christopher dhe Dana Reeve, ka mbështetur gjithmonë njerëzit me aftësi të kufizuar, të  afërmit e tyre dhe kujdestarët.

Këto janë vetëm disa shembuj të arritjeve nga përdoruesit e karrocave çdo ditë.

“Një karrocë nuk i mban burrat dhe gratë të përmbushin ëndrrat, qëllimet dhe dëshirat e tyre dhe të demonstrojnë fuqinë e vërtetë të shpirtit njerëzor”, shkruan Enemeez.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore