Shqipëria

Nis protesta e demokratëve


Protesta e Partisë Demokratike mund të quhet zyrtarisht e hapur, pas nisjes së marshimit nga ana e kreut të forcës së djathtë politike, Sali Berisha dhe mbërritjes përballë Kryeministrisë, ku është ngritur edhe foltorja demokratë.

Një numër i lartë qytetarët është grumbulluar në gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar, flamuj dhe brohoritje, ata bëjnë me dije se kanë dalë të protestojnë për rritjen e çmimeve, duke u shprehur kështu kundër Qeverisë dhe veprimeve politike të ndërmarra nga kjo e fundit.

Të ftuar në protestë janë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, si edhe forcat e tjera opozitare politike.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pritet po ashtu të mbajë një fjalë.

Teksa, mbyllja e gjithë tubimit, do t’i takojë vetë Berishës.

Protesta është paralajmëruar të zgjasë rreth dy orë, me përfundim në 21:00, por ajo ka nisur 30 minuta me vonesë.

Hapjen e saj e ka bërë këngëtari Renis Gjoka.

Ndërsa, në perimetrin e rrethuar me efektivë policie, janë vendosur edhe vetë disa protestues, të cilët mbajnë në krah një shirit dhe ndodhen aty për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.

Disa pankarta të demonstruesve ndërkaq janë fotografuar, ku pikaset edhe një ironi e tyre kundrejt Qeverisë.

Në njërën, kërkohet ndalimi i shpopullimit 30-vjeçar, duke vendosur minimumin jetik me ligj.

Ndërsa një tjetër, ironizon edhe ish-kreun e PD-së, Lulzim Bashën, i cili është pikturuar në formë karikature së bashku me kryeministrin Edi Rama, ku me një orë në sfond, shkruhet “iku koha e rrufjanëve”.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore