Lajme

Nga shtatori Spanja do të ketë udhëtime falas me tren


Në të gjithë Spanjën, çmimet e transportit për shërbimet shtetërore janë ulur përgjysmë në përgjigje të rritjes së shpejtë të normave të energjisë dhe inflacionit.

Pasagjerët, që nga shtatori, do të mund të udhëtojnë nëpër trena të ndryshëm të operuar nga rrjeti publik i trenave Renfe për absolutisht asgjë.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez ka njoftuar se biletat e udhëtimeve për trenat e operuar nga shërbimet publike të rrjetit Cercanías, Rodalies dhe Media Distance do të jenë pa pagesë nga 1 shtatori deri në fund të këtij viti.

Sakaq, masa përjashton biletat e një udhëtimi ose udhëtimet në distanca të gjata. Biletat me shumë udhëtime përfshijnë të paktën 10 udhëtime vajtje-ardhje.

“Kjo masë inkurajon maksimalisht përdorimin e këtij lloji të transportit publik kolektiv për të garantuar udhëtimin e nevojshëm ditor me një mjet transporti të sigurt, të besueshëm, komod, ekonomik dhe të qëndrueshëm, në kushtet e jashtëzakonshme të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të energjisë dhe karburanteve”.

Kështu është deklaruar nga Ministria spanjolle e Transportit.

Skema Renfe u njoftua menjëherë pasi qeveria spanjolle u angazhua për një ulje prej 50 për qind të tarifave të transportit publik për transportin shtetëror.

Spanja nuk është i vetmi vend evropian që ka marrë masa për të ulur kostot e transportit publik.

Gjermania, muajin e kaluar, ka nxjerrë një biletë mujore të pakufizuar të transportit publik prej nëntë euro që mund të përdoret në transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin.

Marrëveshja, pjesë e një pakete të ndihmës energjetike të qeverisë, është planifikuar të zgjasë deri në fund të gushtit.

Kurse Austria, në fund të vitit 2021, prezantoi një “biletë klimatike” me zbritje të madhe të vlefshme në të gjitha mënyrat e transportit publik në vend, me qëllimin për të inkurajuar njerëzit që të lënë makinat e tyre në shtëpi.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore