Shqipëria

Newssky: Vdekja e turistëve rusë, nga shërbimet speciale ruse


News Sky ka raportuar të premten e 22 tetorit tezën e ekspertit shqiptar të kriminalistikës, Ervin Karamuço, sipas të cilës katër turistët rusë janë vrarë nga shërbimet speciale ruse.

Ngjarja na kthen në datën 16 tetor në zonën e Qerretit aty ky dy burra dhe dy gra (të katërt me shtetësi ruse) u gjetën të pajetë në hotelin ku po pushonin.

Viktimat ishin: Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov.

Në një deklaratë për mediat, ditë më parë, Karamuço bënte interpretimin e shkaqeve të vdekjes së rusëve.

Ai u shpreh qartë se vdekja e tyre nuk ishte një aksident tragjik, por “një operacion i planifikuar nga shërbimet speciale ruse”.

Ervin Karamuço

Pistat e hetimit ndryshuan kur kjo ngjarje u regjistrua si “vrasje” nga ana e prokurorisë dhe u zbulua se ata ishin gjetur në ambientet e pishinës dhe jo në sauna – siç ishte deklarata fillestare.

Fillimisht mediat shqiptare shkruanin se fokusi i hetimeve lidhej me praninë e klorit në pishinë, si shkak i mundshëm i vdekjes së tyre të menjëhershme.

Karamuço gjatë deklaratës së tij, u shpreh me siguri se “as gazi, as temperatura e lartë, as asfiksimi, as drogërat nuk ishin shkaku i vdekjes së këtyre katër personave”.

Eksperti shqiptar solli në vëmendje një detaj të pakonfirmuar nga mediat apo autoritetet ruse, se Sergei Burenkov, mbante një post të lartë në departamentin ushtarak rus.

Për të dalë në përfundimin e tezës së tij, Karamuço aludoi se Burenkov mund të ketë qenë oficer i GRU-së (Drejtoria kryesore e Inteligjencës ruse) dhe vdekja e tij mund të jetë e lidhur me një operacion të shërbimeve speciale.

Ai përdori më tej shembullin e vdekjes misterioze në Londër të Nikolai Glushkov, kolegut të Boris Berezovsky në vitin 2018.

Edhe atëherë, sipas ekspertit, trupi u gjet pa shenja të qarta dhune dhe nuk u arrit të identifikohej substanca që shkaktoi vdekjen e tij.

Trupat në Rusi

Trupat e katër shtetasve rusë u dërguan në Rusi dhe lajmin e bëri të ditur më herët, Ambasada Ruse në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook dhe Twitter.

Ambasada shkruan se në përputhje me legjislacionin rus, mund të kryhet ekzamini shtesë mjekoligjor për të hetuar shkaqet e vdekjes së tyre.

“Mezi presim të marrim opinione zyrtare të palës shqiptare për këtë çështje dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për të sqaruar rrethanat e tragjedisë”, përfundon njoftimin e saj Ambasada.

Ende nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me autopsinë e trupave apo analizat e ujit që janë dërguar në institucionet përkatëse.

E vetmja gjë e sigurt dhe e faktuar është që vdekja e katër turistëve rusë është klasifikuar dhe po hetohet si “vrasje“.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore